Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, njëherësh koordinatore në Qendrën për Ndihmë Juridike Falas të Institutit të IKD-së, duke folur për raportin e IKD-së lidhur me zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit, tregoi se cili është roli i shoqërisë civile në këtë drejtim.

Për Konventën e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit, ajo tha se është traktati i vetëm ligjërisht i detyrueshëm dhe më gjithëpërfshirës kundër korrupsionit në botë, i cili ka rreth 191 shtete anëtare.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Rezniqi tregoi se çfarë përmbajnë kapitujt e kësaj Konvente, teksa theksoi se në raportin e IKD-së flitet për zbatimin e kapitullit II dhe V të kësaj Konvente.

“Roli i shoqërisë civile në aspekt të gjithë kësaj është shumë i rëndësishëm, sepse Konventa i ka përcaktuar mekanizmat për mënyrën e rishikimit të zbatimit të kësaj Konvente në përgjithësi nga shtetet palë mes tyre”, tha Rezniqi.

Sipas saj, janë përcaktuar edhe format e monitorimit të zbatimit të Konventës në fjalë.

“Ka situata kur mungon një aspekt praktik i asaj që ndodh në terren nga ana e këtyre shteteve dhe këtu pikërisht hyn roli i shoqërisë civile ku Instituti i Kosovës për Drejtësi jemi pjesë e Koalicionit UNCAC, i cili është koalicion me mbi 400 organizata të shoqërisë civile në botë. Një koalicion global që ka për qëllim mbikëqyrjen dhe monitorimin e zbatimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për shtete anëtare dhe shtete joanëtare të Konventës”, tha Rezniqi.

Ajo tha se falë anëtarësisë në këtë Koalicion, kanë mundësi të bashkëpunimit edhe me organizata tjera globale në fushën e luftimit të korrupsionit.

Rezniqi tha se Kosova ka hartuar legjislacion, politika të ndryshme për luftimin e korrupsionit, por sipas gjetjeve të raportit, zbatimi i tyre në praktikë mungon. Ajo shtoi se Kosovës ende i mungon Strategjia kundër korrupsionit.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), më 28 gusht 2024 ka publikuar raportin “Raporti i shoqërisë civile mbi zbatimin e kapitullit II (Masat parandaluese) & kapitullit V (Rikuperimi i pasurisë) të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit në Kosovë”. Gjetjet e raportit dëshmojnë se edhe pse kishte vullnet politik për të rregulluar infrastrukturën ligjore përmes ligjeve bazë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, institucionet dështuan të japin rezultatet e synuara.
 

 

Bajraktari: Moslejimi i monitorimit të konkursit për prokurorë, lë hapësirë për dyshime

7 muaj më parë / 9 sht 2024 21:44
Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari, në emisionin “Tempus” në KTV, ka folur për moslejimin e organizatave qeveritare që të monitorojnë procesin e intervistimit të kandidatëve për prokurorë. Sipas tij, kjo lë hapësirë për dyshime.

“Prej proceseve më të rëndësishme të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial është rekrutimi i prokurorëve të rinj, e kur s’e lënë atë të monitorohet, atëherë çka pritet prej një mekanizmi të tillë”, tha Bajraktari, duke shtuar se kusht kryesor është transparenca.

Ai tha se vetë fakti se refuzohet dhe mungesa e transparencës, lë hapësirë për dyshime, e në këtë drejtim edhe legjislacioni i fushës kundër korrupsionit ndër të tjera e siguron kryerjen e funksioneve publike me integritet që nënkupton të mos jenë të cenueshëm dhe të diskutueshëm edhe në situata tilla.

“Më kujtohet kampanja e kryeministrit në një zyrë, kur bënte thirrje te zyrtarët publikë që përmes procesit të sinjalizimit t’i denoncojnë shkeljet, ka qenë një thirrje e jashtëzkonshme e që në fakt pastaj rezultoi që në një numër të caktuar të zyrtarëve nuk e di a kanë qenë apo jo, së paku është proklamuar se kanë qenë sinjalizues të Ministrisë të Tregtisë e të ngjashme dhe i kanë dërgu në procedura disiplinore”, tha Bajraktari.

Ai tha se vetë fakti se është thënë se kanë qenë sinjalizues dhe i kanë dërguar në procedura disiplinore, është një mesazh jashtëzakonisht i keq dhe dekurajues, i cili është prezantuar edhe në raportin e IKD-së.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), përmes një komunikate për medie, kanë njoftuar se Komisioni për Rekrutim pranë Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk i ka lejuar përfaqësuesit e tyre të monitorojnë procesin për rekrutimin e 28 prokurorëve të rinj të shtetit. /BetimipërDrejtësi

Nrecaj: S’ka vullnet as nga Qeveria as nga sistemi gjyqësor e ai prokurorial për reformë në drejtësi

7 muaj më parë / 9 sht 2024 21:26
Anton Nrecaj

Anton Nrecaj, drejtor ekzekutiv i Organizatës CLARD, tha se nuk ka vullnet as nga Qeveria e as nga Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial për reformë në drejtësi.

Nrecaj tha që dihet se si janë tendencat që të kapen institucionet e pavarura - Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe sipas tij kjo është një strategji që Qeveria po e bën.

Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk po punon në aspektin e rregullimit, por në atë të çrregullimit dhe se kjo sipas tij kjo Qeveri po tenton t’i hartojë dhe të zbatojë legjislacionin, duke i injoruar të gjitha standardet, doktrinat dhe obligimet që rrjedhin, përfshirë edhe Konventën e Kombeve të Bashkuara.

Tutje, ai deklaroi se ekziston një luftë verbale mes Qeverisë dhe Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial.

“Gjithçka që luftohet, sot kur flasim për Vetting, luftohet nëpër medie, zyre të Qeverisë. Është luftë verbale nga zyrat e Qeverisë, zyrat e KGJK dhe zyrat e KPK, dhe kjo luftë realisht po ndodhë që secila palë po tregon t’i tregojë ‘dhëmbët’ në njërën anë vullnetin e Qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe për të sjellë rendin dhe ligjin, e nga ana tjetër kemi dy institucione të drejtësisë KPK dhe KGJK, luftën për të ruajtur komoditetin që e kanë pasur deri tash”, tha Nrecaj në “Tempus“.

Ai gjithashtu ka deklaruar se nuk ka vullnet për ta luftuar korrupsionin.

“Domethënë nuk ka vullnet aspak qoftë nga njëra anë qoftë nga tjetra, duke pasur parasysh faktin që dëmi më i madh që është duke iu shkaktuar këtij vendi është korrupsioni pasi që niveli i korrupsionit jo vetëm që na dëmton neve si qytetarë, por edhe aspektin e integrimit të këtij vendi, ecjen përpara të Kosovës, natyrisht edhe stagnon në pjesën e bashkëpunimeve ndërkombëtar”, tha Nrecaj.

Në fund, Nrecaj tha që kemi raste kur ndaj njerëzve të lartë të qeverisë, nuk iu iniciohet asnjë proces i hetimit për luftën kundër korrupsionit, përkundrazi këta akterë promovohen dhe mbrohen nga politika.
 

Demolli-Nimani: Më 2023 kishte regres në luftimin e korrupsionit nga prokuroritë e gjykatat

7 muaj më parë / 9 sht 2024 21:23
Mexhide Demolli

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL, tha se të dhënat e raportit të tyre tregojnë që në vitin 2023 ka pasur regres në luftimin e korrupsionit nga prokuroritë dhe gjykatat.

“Sa i përket prishjes së komoditetit që po i pritojnë KPK-ja dhe KGJK-ja, në këtë rast prokurorët dhe gjyqtarët, sipas të dhënave që FOL e ka bërë në vitin 2023, nga 1 mijë e 106 lëndë të korrupsionit sa kanë qenë në punë, në shtatë prokuroritë themelore dhe atë Speciale gjatë vitit 2023, vetëm 476 prej tyre kanë qenë të trashëguara nga viti paraprak dhe 630 lëndë të reja. Prokuroritë kanë zgjedhur veç 500 lëndë, që i bie diku në përqindje rreth 45% të të gjitha lëndëve në punë”, tha Demolli-Nimani në “Tempus“.

Sipas saj, kjo i bie që lëndët që i kanë në punë nuk i trajtojnë seriozisht. Ajo tha se e njëjta përqindje është edhe tek gjykatat.

“Nga 128 lëndë të korrupsionit, 104 prej të cilave kanë qenë të trashëguara dhe 24 të reja, kanë arritur t’i zgjidhin vetëm 56 lëndë apo 44% të të gjitha lëndëve që i kanë pasur në punë. Viti 2023 kemi vlerësu që ka pasur regres sa i përket luftimit të korrupsionit në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, duke u bazuar në statistikat që i kemi marrë nga KPK dhe KGJK”, tha Demolli-Nimani.

Bajraktari: Mungesa e Strategjisë, mungesë e vullnetit për të luftuar korrupsionin

7 muaj më parë / 9 sht 2024 21:16
Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se mungesa e Strategjisë kundër korrupsionit është mungesë e vullnetit për ta luftuar korrupsionin. 

Sipas tij, ka një shpërputhje mes ligjeve të mira dhe pamundësisë së zbatimit në praktikë.

“E para, shpeshherë e ka shoqëruar procesin e hartimit të legjislacionit, nuk është materializu tutje me mbështetje të nevojshme materiale, përkatësisht buxhetore”, tha Bajraktari.

Ai përmendi ndryshimin e mandatit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ku janë shtuar kompetencat dhe kategoria e zyrtarëve që obligohen të deklarojnë pasurinë, por që nuk reflektohet me buxhet.

“Kjo në bindjen time reflekton mungesë të vullnetit politik për të adresuar këtë sfidë jo vetëm të fushës kundër korrupsionit, mirëpo edhe përgjithësisht të fushës së drejtësisë, sepse siç dihet ardhja në pushtet e Qeverisë aktuale me njërin prej top prioriteteve drejtësinë, natyrisht që kushdo që merret me fushën e drejtësisë ju ka gëzuar një prioritet të tillë për faktin se ka pas nevojë orientimi i prioriteteve në këtë drejtim”, tha Bajraktari.

Sipas tij, prioriteti nënkupton në radhë të parë ndarje të mjeteve buxhetore.

“Vit për vit, jo vetëm Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, mirëpo edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës edhe Këshilli Prokurorial, me rastin e hartimit të projektligjeve të buxheteve respektive dërgojnë kërkesa buxhetore në kuadër të Ministrisë së Financave të cilat në masë të konsiderueshme nuk aprovohen”, tha Bajraktari

Ai tha se rast konkret është rasti i Gjykatës Komerciale që është proklamuar edhe nga kjo Qeveri por edhe nga qeveritë paraprake si një arritje e jashtëzakonshme, ndërsa ajo në vitin e parë ka pasur sfida të jashtëzakonshme për funksionalizmin e saj, për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë që përcaktohen me ligj.

Tutje, Bajraktari tha se kjo shpërfaqë në masë të konsiderueshme mungesën e vullnetit politik për të adresuar këtë sfidë.

“Kur jemi te vullneti politik vetë mungesa e strategjisë e shpërfaqë më së miri këtë mungesë të vullnetit politik, për faktin se që nga viti 2022 me ligjin e ri është paraparë përgjegjësia ekskluzive e Qeverisë hartimi  i Strategjisë, e cila për fatin e keq nuk ka ndodh”, tha ai.
 

Demolli-Nimani: Në disa ligje ftohesh në grupe punuese e në disa jo, konsultimet publike sa për sy e faqe

7 muaj më parë / 9 sht 2024 21:08
Mexhide Demolli-Nimani

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë probleme, pasi që ata ftohen në disa grupe punuese për hartimin e ligjeve, ndërsa në disa të tjera jo.

Demolli-Nimani tha që ligjet po bëhen të mira, mirëpo ngecja gjithherë po qëndron në praktikë dhe një gjë e tillë sipas saj po ndodhë në dy ligje: Ligjin për Konfliktin e Interesit dhe Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

Tutje, ajo theksoi se organizata FOL është marrë shumë me Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve që nga miratimi i tij qoftë në sektorin privat dhe publik dhe është e dhimbshme se sa pak zbatohet ky ligj, që sipas tyre ka qenë një nga mekanizmat kyç në luftimin e korrupsionit.
Ajo gjithashtu diskutoi çështjen e Ligjit për Byronë, për të cilin theksoi Gjykata Kushtetuese e ktheu nga fillimi.

“Nuk di nëse ndonjë prej organizatave ka qenë pjesë e grupeve punues për ligjin e ri që sipas ministres veç është bërë drafti i parë, edhe këtu kemi pak probleme sa i përket kësaj qasje, pasi që në disa ligje ftohesh në grupe punuese e në disa tjera jo”, tha ajo.

Demolli-Nimani gjithashtu tha që pjesa e konsultimeve publike sipas saj po bëhet sa për sy e faqe.

“Pjesa e konsultimeve publike konsideroj që po bëhet veç sa për sy e faqe dhe jo që po merren imputet që gjithmonë janë dhënë prej shoqërisë civile”, tha ajo.