Përfaqësuesit e shoqërisë civile treguan të hënën në “Tempus” se cilat aktivitete do të shënojnë Javën Kundër Korrupsion 2024.
Albesa Humolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit (9 dhjetor) zhvilluan një sërë aktivitetesh.
Ajo tha se nisën konferencën dyditore “Rinia për integritet politik”, e cila u shënua me pjesëmarrjen e të rinjve që kanë qenë në kuadër të Akademisë kundër korrupsion. Konferenca tha se do të vazhdojë edhe nesër.
Humolli tha se u diskutua për rolin e të rinjve në rolin e të rinjve në promovimin e integritetit zgjedhor dhe luftës kunddër korrupsionit.
Po ashtu, tha se ndan çmimet për fotografinë më të mirë kundër korrupsionit dhe atë për editorialin më të mirë të shkruar nga të rinjtë.
Në anën tjetër, Viona Bunjaku, hulumtuese në Lëvizjen FOL, tha se shënimi i Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit është shndërruar në traditë të organizatave të shoqërisë civile.
Sot, tha u shënua me performancë artistike ku në sheshin “Zahir Pajaziti” u vendos një baner me një qiri me titull “Farat e Rrejshme”, përmes së cilës vepër artistike kanë treguar ngecjen në luftën kundër korrupsionit gjatë viteve të fundit.
“Qeveria që është në pushtet ka ardhë me moton “Drejtësi dhe luftim i korrupsionit”, mirëpo ne këtë gjendje nuk kemi arritur ta shohim në praktikë, pasi kemi pasur të bëjmë me shumë keqpërdorime që kanë ndikuar drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve”, tha Bunjaku.
E njëjta tha se në një tryezë diskutimi, të martën do të flitet për sinjalizimin apo sinjalizuesit nga perspektiva praktike. Bunjaku tha se sinjalizimi është mjet shumë i rëndësishëm në luftimin kundër korrupsionit.
Në anën tjetër, Arbër Kabashi nga Iniciativa për Progres (INPO), tha se në kuadër të Javës Kundër Korrupsion do t’i publikojnë dy raporte, të cilat fokusohen në prokurimin publik.
“Gjatë monitorimit të prokurimit publik kemi identifiku disa praktika që janë shndërru edhe në fenomene, e të cilat në një formë apo tjetër janë të ndërlidhura apo prodhojnë korrupsion”, tha Kabashi, duke theksuar se këto gjetje do t’i paraqesin në raportet që do t’i publikojnë.
Gjatë kësaj Jave, tha se do të diskutojnë edhe për kontratat me procedurë të negociuar. Ndërsa, do të publikojnë edhe një raport për performancën apo efikasitetin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Kurse, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se IKD sot publikoi raportin që flet për dështimin e reformës në drejtësi.
Shala tha se përtej pritjeve që qytetarët kanë pasur në këtë Qeveri, tha se të gjitha reformat e mëdha kanë dështuar. Tha se Vettingu nuk ka hyrë në fuqi, ka dështuar reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe Qeveria po e përfundon mandatin pa Strategji kundër korrupsionit. Strategjia për sundimin e ligjit, Shala tha se mbeti e pazbatuar për shkak të mungesës së planit të veprimit.
Ai theksoi se nesër (e martë) do të publikohet raporti i radhës i IKD-së, i cili flet për dimensionin gjinor në luftën kundër korrupsionit. Në këtë event, Shala tha se do të marrë pjesë edhe Presidentja Vjosa Osmani.
Hulumtuesi tha se do të trajtohet edhe çështja e hetimit parlamentar, efikasitetit të tij dhe si duhet të zhvillohet çështja e hetimit parlamentar.
Shala tha se raporti tjetër flet për qeverisjen me duar të pastra dhe hetimin e korrupsionit qeveritar. Po ashtu, tha se përmes një raporti të veçantë do të ilustrojnë se si funksionon korporatizmi brenda KPK-së.
IKD-ja do të organizojë edhe një galeri me mesazhe kundër korrupsionit. /BetimipërDrejtësi
Shala: Qeveria ka dështuar në reformat për luftimin e korrupsionit
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Qeveria ka dështuar përballë nevojës së madhe për reformë.
“Kosova deri më tani ende nuk ka rezultate të kërkuara në luftën kundër korrupsionit. Nuk ka aktgjykime të formës së prerë me burgim efektiv për profilin e lartë, mungojnë rezultatet adekuate në fushën e konfiskimit, etj. Të gjitha këto vetëm nga korrupsioni nëse nisim ndërtojnë një nevojë më të madhe sesa thjesht disa përpjekje dhe ndryshim i ligjeve, kërkojnë nevojën për reformë të thellë brenda sistemit të drejtësisë”, tha Shala.
Ai ka përmendur premtimet e Qeverisë në lidhje me vettingun në sistemin e drejtësisë.
“Përderisa vettingu në sistemin e drejtësisë nuk ka filluar fare, Qeveria nuk ka arrit me e bind Komisionin e Venecias që në Kosovë ka nevojë për një vetting të plotë, mirëpo Komisioni e Venecias më pas e ka reduktuar vetëm në një vetting të pjesshëm”, ka thënë Shala.
Ndërkaq, ai ka potencuar se ideja për vettingun në Polici nuk është diskutuar më fare pas ardhjes në pushtet të Qeverisë aktuale.
“Pas kësaj këto institucione kompetente që përmendën në atë më nuk kanë bërë asnjë veprim”, tha Shala.
Shala: Janë të shpeshta rastet kur Qeveria ka mbrojtur të pandehurit për korrupsion
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha në “Tempus” të KTV-së se ka raste të shpeshta ku Qeveria e Kosovës ka mbrojtur të pandehurit për korrupsion.
“Në kuptim të mënyrës së veprimit janë shumë më të shpeshta që pothuajse janë standart rastet kur Qeveria u ka dalë në mbrojtje të pandehurve për korrupsion, sesa rastet kur ka bashkëpunuar e institucionet e sistemit të drejtësisë në drejtim të zbardhjes së rastit”, ka thënë Shala.
Sipas tij, është fatkeqësi se si në rastet kur Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj akterëve qeveritarë, Qeveria i është vërsulur Prokurorit të Shtetit me kritika.
“Është fatkeqësi pasi në shumë raste kur Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprime hetimore në drejtim të akterëve qeveritar, Qeveria në njëfarë forme duke e cilësuar veten si imune’ ndaj kësaj dukurie i është vërsulur me kritika Prokurorit të Shtetit”, tha Shala.
Shala: Gjykata Kushtetuese s’ka qenë problem për vetting, e para ka qenë Qeveria që nuk ka siguruar votat
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, ka diskutuar për procesin e Vettingut dhe pengesat që e kanë ndalur përparimin e tij në Kosovë. Sipas tij, ndonëse Gjykata Kushtetuese ka miratuar draft-amendamentet që i hapin rrugë këtij procesi, mungesa e vullnetit politik dhe veprimeve konkrete nga Qeveria dhe Kuvendi mbeten shqetësuese.
“Gjykata Kushtetuese ka dhënë dritën e gjelbër për të vazhduar me miratimin e draft-amendamenteve, mirëpo Qeveria dhe Kuvendi nuk e kanë bërë. Pas vendimit të Gjykatës, ka pasur një heshtje të madhe nga institucionet,” tha Shala.
Shala gjithashtu komentoi mbi Vettingun e pjesshëm të propozuar nga Komisioni i Venecias, duke theksuar se kjo formë ka përfitime të rëndësishme në krahasim me Vettingun e përgjithshëm.
“Edhe Vettingu i pjesshëm që është propozuar nga Komisioni i Venecias nuk mund të themi se nuk është Vetting. Madje, ai ka disa benefite në raport me Vettingun e përgjithshëm. Për këtë lloj të Vettingu janë draftuar draft-amendamentet kushtetuese”, shtoi ai.
Ai vuri në dukje se pengesat kryesore nuk qëndrojnë te Gjykata Kushtetuese, por te mungesa e votave në Kuvend, duke përfshirë këtu edhe kërkesën për shumicën e dyfishtë.
“Problemi ka qenë Qeveria që nuk i ka siguruar votat. Në rastin konkret, përveç shumicës absolute, kërkohet edhe shumica e dyfishtë dhe dihet qëndrimi i Listës Serbe në këtë drejtim”, tha ai.
Ndërkohë, Shala e konsideroi si problematik vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen kundërkushtetuese të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Gjykata Kushtetuese e ka shpallur kundërkushtetues Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, gjë që paraqet një pengesë shtesë në luftën kundër korrupsionit”, përfundoi Shala.
Hulumtuesi Shala ka kritikuar mënyrën e trajtimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore nga Qeveria dhe Kuvendi. Theksoi se vonesa prej tre muajsh dhe miratimi i Projektligjit në të njëjtën ditë në të dy leximet krijon perceptimin se ky ligj po përdoret për qëllime elektorale, dhe jo si një masë për të avancuar sundimin e ligjit në Kosovë.
Ai shtoi se fatkeqsisht është sërish nevoja që ky ligj prapë të dërgohet për vlerësim të kushtetutshmërisë.
Kabashi: Korrupsioni më së shumti është i shprehur përmes prokurimit publik
Arbër Kabashi nga Iniciativa për Progres (INPO), ka shprehur shqetësimin për korrupsionin e përhapur në fushën e prokurimit publik në Kosovë dhe mungesën e vullnetit për të miratuar një Ligj të ri që adreson mangësitë aktuale.
“Përderisa përmes prokurimit publik shpenzohet buxheti publik, korrupsioni më së shumti është i shprehur pikërisht në këtë fushë. Ne si organizatë kemi shprehur vazhdimisht shqetësimin për mosmiratimin e një Ligji të ri për prokurimin publik”, tha Kabashi.
Ai në “Tempus” të KTV-së theksoi se ndonëse në agjendën legjislative të Kuvendit të Kosovës është paraparë që çështja e Ligjit të ri për prokurimin publik të trajtohet në mars të vitit 2024, deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim konkret apo vullnet për ta realizuar këtë.
“Ligji aktual ka disa mangësi që po shfrytëzohen nga operatorët ekonomikë dhe zyrtarët e autoriteteve kontraktuese. Ndërlidhja mes tyre shpesh çon në afera të ndryshme korruptive”, shtoi ai.
Kabashi renditi disa prej mangësive kryesore të ligjit aktual. Një nga to lidhet me çështjen e sekretit afarist, për të cilën INPO ka përgatitur një udhëzues për ta adresuar. Po ashtu, problematike tha se është edhe hartimi i specifikimeve teknike, ku shumë autoritete kontraktuese diskriminojnë disa operatorë ekonomikë duke favorizuar të tjerë, çka sipas tij, krijon hapësirë për korrupsion.
“Konsiderojmë se ka ardhur koha për një Ligj të ri për prokurimin publik që të evitojë këto probleme dhe të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie në menaxhimin e buxhetit publik”, tha Kabashi.
Kabashi: Tri institucionet kryesore të prokurimit publik jane me pozita jovalide
Arbër Kabashi nga Iniciativa për Progres (INPO), në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se tri institucione kryesore të prokurorimit publik aktualisht janë me pozita jovalide.
Kabashi mori shembull drejtorin e Agjensisë Qendrore të Prokurimit, i cili tha se është me mandat të skaduar. Potencoi se Ministria ka hapur një konkurs para 3 muajve, por nuk ka arritur të finalizohet dhe sipas tij kjo Agjenci është duke vazhduar me drejtor me mandat të skaduar.
Përpos kësaj, ai ka përmendur edhe Komisionin Rregullativ si dhe Organin Shqyrtues të Prokurimit, që në krye kanë ushtrues detyre ose drejtues me pozita të skaduara.
“Gjithashtu, edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik është duke vazhduar me kryetar i cili është me mandat të skaduar, edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit pas dorëheqjes së kryetares është i caktuar ushtruesi i detyrës së kryetarit, por ky edhe nga ana e bordit është i jashtëligjshëm pasi që kryetarin me rregull, me ligj e cakton Kuvendi dhe jo antarët e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit”, shtoi Kabashi.
Kurse, Albesa Humolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se përgjatë kësaj Qeverie kemi numrin më të madh të sekretarëve të përgjithshëm të ministrive që ushtrojnë pozitën e ushtruesit të detyrës.
“Përgjatë kësaj Qeverie kemi pasur ndryshimin e Ligjit për Zyrtarë Pujblikë, njëkohësisht edhe një Ligj të ri për Paga në sektorin publik, pra krejt ideja ka qenë që të reformohet administrata publike, e pikërisht gjatë kësaj Qeverie kemi numrin më të madh të sekretarëve të pergjthshëm të ministrive që ushtrojnë rolin e tyre si ushtrues detyre”, tha Humolli.
Kjo sipas saj sjellë mundësinë e aferave korruptive që mund të jenë të pranishme në një institucion pasi fakti që atyre iu shtohet mandati jep nuancë se në të vërtetë tentohet që në institucione të vendosen persona të afërt me pushtetin.
Bunjaku: Kemi problematika jo vetëm në ligjbërje, por edhe në sistemin prokurorial e atë gjyqësor
Viona Bunjaku, hulumtuese në Lëvizjen FOL, tha se Kosova ka problematika jo vetëm në ligjbërje, por edhe në sistemin prokurorial e atë gjyqësor.
“Kemi problematika jo vetëm në fushën e ligjbërjes, por edhe në sistemin gjyqësor e sistemin prokurorial, aktakuza të dobëta që vazhdimisht i shohim dhe gjithashtu vendime që nuk janë me burgim efektiv vazhdojnë të mbeten një ndër problematikat kryesore dhe kjo bën që sistemi i drejtësisë të jetë i dobët sa i përket luftimit të korrupsionit”, tha Bunjaku në “Tempus“.
Ajo shtoi se këtë nuk e thonë vetëm shoqëria civile, por edhe raporte ndërkombëtare, çka do të thotë se sipas saj jemi vetëm në hapa të parë të luftimit të korrupsionit.
Bunjaku theksoi se edhe institucionet e tjera të pavarura që kanë kompetencë mbikëqyrjen edhe zbatimin e shumë ligjeve që hynë në fushëveprimtarinë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për ta bërë këtë monitorim të ligjeve antikorrrupsion.
Humolli: Si shtet s’kemi vizion të qartë se si duhet të luftohet korrupsioni
Albesa Humolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në emisionin “Tempus” në KTV, ka numëruar sfidat kryesore që e pengojnë luftimin efektiv të korrupsionit në Kosovë. Sipas saj, mungesa e një vizioni të qartë dhe strategjie konkrete për këtë fenomen, mbetet ndër problemet më serioze.
“Korrupsioni vazhdon të mbetet ndër problemet kryesore në Kosovë, dhe kjo është arsyeja pse besimi i qytetarëve në institucione është shumë i ulët. Kemi një reformë që është nisur për luftimin e korrupsionit dhe institucione të mandatuara për këtë qëllim, por këto institucione nuk kanë kapacitete të mjaftueshme as financiare dhe as humane për ta luftuar korrupsionin”, theksoi Humolli.
Ajo kritikoi Qeverinë aktuale për mungesën e një strategjie gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit, duke theksuar se kjo qasje tregon se si shtet nuk ka një plan të qartë për t’iu qasur këtij fenomeni.
“Për herë të parë kemi një Qeveri që përfundon mandatin pa pasur një Strategji për luftimin e korrupsionit. Përveç kësaj, sistemi gjyqësor vuan nga mungesa e hetimeve të mirëfillta, ndjekja e pamjaftueshme e rasteve të korrupsionit dhe aktakuzat e dobëta nga Prokuroria. Edhe kur aktakuzat janë cilësore, vonesat në procedura çojnë në parashkrimin e dënimeve”, shtoi ajo.
Sipas Humollit, këto probleme kanë rezultuar në zbehjen e mëtejshme të besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore dhe në mungesën e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit.
“Zvarritjet dhe dështimi për të dhënë dënime efektive vetëm sa e përkeqësojnë situatën”, tha ajo, duke kërkuar masa të menjëhershme dhe një qasje të qartë për trajtimin e korrupsionit.
Humolli: Ligji për sinjalizuesit i mirë në letër, por sfidues në praktikë
Albesa Humolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka ndarë gjetjet e monitorimeve lidhur me zbatimin e Ligjit për Sinjalizuesit në institucionet publike në Kosovë. Sipas saj, derisa Ligji ofron një bazë të mirë teorike, zbatimi i tij në praktikë është larg të qenit efektiv dhe nuk përputhet me realitetin kulturor të vendit.
“Ky është viti i tretë që monitorojmë zbatimin e Ligjit për Sinjalizuesit në institucionet publike. Perceptimi i përgjithshëm është se kemi një kornizë ligjore të mirë, por ligji po del të jetë më shumë i mirë në letër sesa në praktikë”, tha Humolli në “Tempus“ të KTV-së.
Ajo theksoi se shumë institucione publike nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor për të caktuar një zyrtar përgjegjës për sinjalizim. Edhe në rastet kur është caktuar një zyrtar i tillë, shpesh kjo është bërë vetëm si formalitet, pa u marrë parasysh kualifikimet apo aftësitë e nevojshme.
“Vetë ligji nuk përcakton kritere të qarta për kualifikimet e zyrtarëve përgjegjës për sinjalizim. Në disa raste, personat që punojnë në IT janë caktuar si zyrtarë përgjegjës, të cilët e kanë konsideruar shumë sfiduese trajtimin e raportimeve në përputhje me ligjin dhe ofrimin e zgjidhjeve për sinjalizuesit”, shtoi ajo.
Një tjetër mangësi e identifikuar nga KDI është mosnjoftimi i stafit institucional kur caktohet një zyrtar përgjegjës për sinjalizim, gjë që kufizon më tej efektivitetin e sistemit të sinjalizimit.
“Në vitin 2024, kemi pasur disa raste të sinjalizimeve publike, por numri mbetet shumë i ulët krahasuar me parregullsitë që raportohen në media. Sinjalizimi, që duhet të ishte një armë kryesore në luftën kundër korrupsionit, nuk po përdoret nga sinjalizuesit, pasi ata nuk ndihen të mbrojtur në praktikë”, theksoi Humolli.