TEMPUS

Bunjaku thotë se Qeveria dështoi ta miratonte një Strategji antikorrpsion, tash propozoi një draft me dy faqe plan veprimi

Viona Bunjaku, hulumtuese në organizatën joqeveritare Lëvizja FOL

Viona Bunjaku, hulumtuese në organizatën joqeveritare Lëvizja FOL, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për dështimin e saj në miratimin e Strategjisë Antikorrupsion, duke e cilësuar këtë si një dështim të madh në përmbushjen e obligimeve ligjore.

“Jemi pothuajse në fund të mandatit të kësaj qeverie. Për katër vite kemi pritur miratimin e një dokumenti të tillë, por tani, në prag të zgjedhjeve, është hedhur në konsultime publike një draft që, realisht, lë shumë për të dëshiruar”, tha Bunjaku në emisionin “Tempus” në KTV.

Sipas saj, drafti aktual përmban vetëm dy faqe plan veprimi, duke reflektuar, siç theksoi ajo, mungesën e vullnetit politik, kapaciteteve të nevojshme dhe transparencës.

“Mungesa e vullnetit për të shtyrë përpara kauzën kryesore që solli këtë qeveri në pushtet është evidente. Strategjia antikorrupsion, që tani është një obligim ligjor i qeverisë, duhej të ishte përparësi, por qeveria ka dështuar plotësisht në këtë drejtim”, shtoi ajo.

Bunjaku theksoi se një strategji gjithëpërfshirëse është thelbësore për të siguruar një luftë efektive kundër korrupsionit.

“Pa një strategji të qartë dhe të miratuar, asnjë vend nuk mund të konsiderohet serioz në luftën kundër korrupsionit. Ligjet ekzistojnë, por strategjia është një dokument kyç që luan një rol jetik”, tha ajo.

Ajo gjithashtu kritikoi procesin e hartimit të draftit, duke thënë se kishte mungesë transparence gjatë gjithë periudhës së përgatitjes së tij.

Strategjia antikorrupsion ishte më parë nën përgjegjësinë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, por tani është detyrë e qeverisë. /BetimipërDrejtësi/