Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), tha se po tentohet të krijohet një praktikë nga ana e gjykatës, ku mosdeklarimi i pasurisë të shihet më shumë si kundërvajtje sesa si vepër penale siç është e përcaktuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Tashmë ka një tentim të interpretimit që pasuria e fituar në mënyrë të ligjshme, pa marrë parasysh a deklarohet a jo, nuk mund të konsiderohet si vepër penale, por është vetëm si kundërvajtje”, tha Buleshkaj.
Ai tha në “Tempus” se ekziston një numër i rasteve të cilat po mbyllen me këtë lloj interpretimi.
“Ç’është e keqja edhe pse nuk kam dëshirë të komentoj vendimet e gjykatës, por këtu nuk kemi qare pa i komentu sepse prekin substancën e veprimtarisë së Agjencisë, ku interpretohet gabimisht ligji, i referohen legjislacionit i cili nuk është në fuqi për më shumë se 10 vite në nxjerrjen e këtyre përfundimeve. Pastaj, gjykatat tjera i referohen pa e thënë këtij opinioni të Gjykatës Supreme, sepse i kemi dy vendime të Gjykatës Supreme, në mos gaboj, për një jam i sigurt që e klasifikojnë do të thotë mosdeklarimin e saktë të pasurisë si kundërvajtje”, tha Buleshkaj.
Më pas, ai tha se kanë parë një mekanizëm përmes Prokurorit të Shtetit se si ta trajtojnë këtë çështje, ndoshta edhe nga konteksti disiplinor, po ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Në këtë drejtim, kemi parë mënyra se si të ankimojmë, mirëpo nga juristë kanë thënë se kur një Gjykatë Supreme vendos, nuk mund të ankimosh atë proces në asnjë mënyrë”, tha Buleshkaj.
Lidhur me rastin e Supremes, drejtori i APK-së tha se beson që është trajtuar në mënyrë të gabueshme. Në atë rast, tha se bëhet fjalë për një zyrtar të lartë publik- udhëheqës i një fakulteti në Universitetin e Prishtinës, i cili nuk e ka deklaruar një pronë. Si rezultat, tha se Agjencia kishte ngritur kallëzim penal, kurse Prokuroria aktakuzë. Ai tha se Themelorja dhe Apeli e kishin dënuar zyrtarin në fjalë, kurse Supremja e ka liruar.
“Supremja e kishte liruar nga përgjegjësia duke thënë se në kohën kur ka ndodhur kjo shkelje, mosdeklarimi i pasurisë nuk ka qenë vepër penale por ka qenë kundërvajtje. Do të thotë, i referohet një neni të një ligji që është shfuqizuar më 2014”, tha Buleshkaj.
Pra, theksoi se Gjykata e kishte marrë si më të favorshëm ligjin i cili të paktën që 6 vite nuk ka qenë në fuqi. Tha se rasti i tillë që është shumë specifik, e që për ta si Agjenci është totalisht i gabuar në trajtim, por përdoret pa referencë nga shkalla e parë.
“Kemi të paktën 2-3 vendime pas këtij rasti, kur Gjykata Themelore vendos që mosdeklarimi i pasurisë së fituar në mënyrë të ligjshme është kundërvajtje”, tha Buleshkaj.