TEMPUS

Buleshkaj: 2024-ta ka qenë plot sfida, por jemi të kënaqur me rezultatet

Yll Buleshkaj

Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), tha se viti 2024 ka qenë plot sfida për ata, mirëpo janë të kënaqur me rezultatet e arritura.

I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Buleshkaj tha se edhe gjatë vitit që e lamë pas kanë pasur mungesë të stafit, por që është mbuluar pjesërisht përmes angazhimit shtesë të ekipit aktual.

“Këtë vit kemi përfunduar më shumë raste se çdo vit tjetër. Në veçanti, në lidhje me sinjalizimin e jashtëm, kemi përfunduar 48 raste për këtë vit, në raport me 20 të vitit të kaluar, që përbën një rritje prej afërsisht 150% të rasteve të raportuara. E që për ne, këtë e konsiderojmë edhe si rritje të besimit në Agjenci dhe rritje të kapaciteteve tona për t’i trajtuar rastet”, tha Buleshkaj.

Ai tha se për herë të parë kanë menaxhuar deklarimin e pasurisë për mjekët dhe profesorët, si kategori të reja dhe i cili proces është përfunduar me sukses.

“Nga mbi 2 mijë e 400, vetëm 8 nga ta nuk e kanë kryer këtë detyrë në kohë, e pastaj brenda afatit shtesë që i jepet brenda dy javëve e kanë përfunduar të gjithë këtë proces”, tha Buleshkaj.

I pari i APK-së tha se gjatë këtij viti kanë pasur një numër të konsiderueshëm të rasteve në parandalimin e konfliktit të interesit. Tha se kanë trajtuar mbi 200 raste të tilla.

“Nga to kemi pasur raste mjaft të rëndësishme, duke përfshirë nga rastet që kanë pasur të bëjnë me sistemin prokurorial, me arsimin e lartë, e të tjera, të cilat i kemi përfunduar me sukses. Megjithatë, të gjitha këto nuk kishin mundur të kryhen pa pas një angazhim shtesë të stafit të Agjencisë dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera”, tha Buleshkaj.

Ai theksoi se Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur Agjencinë, pasi me buxhetin e vitit 2024 janë shtuar edhe disa pozita të tjera.

“Janë shtuar edhe 18 pozita të reja nga ato që kanë qenë më përpara. Në të vërtetë, 15 janë shtesë ndërsa tri janë ato që s’kanë qenë të plotësuara dhe jemi në plotësim të tyre. Në fillim të vitit kemi pasur një proces të ristrukturimit të plotë për t’iu përgjigjur kërkesave të reja ligjore dhe ndërkohë ka ndryshuar edhe rregullativa nënligjore e Qeverisë, që janë të obligueshme për Agjencinë”, shtoi Buleshkaj.

Drejtori i APK-së tha se nga qershori i 2024-ës e kanë përfunduar procesin e ristrukturimit dhe kanë filluar plotësimin e vendeve të lira, ku tashmë janë në fazën finale. Kjo tha se beson që do ta lehtësojë punën gjatë këtij viti.

Buleshkaj tha se kanë kërkuar edhe 10 pozita shtesë ngase është rritur numri i subjekteve deklaruese, por që nuk janë alokuar për këtë vit.

“Në qoftëse e krahasojmë me vitet paraprake kur e kam marrë Agjencinë ka qenë rreth gjysmë milioni buxheti i tërësishëm, buxheti për vitin 2025 është 1.1 milon, që ka më shumë se 100% rritje të buxhetit. Janë edhe disa projekte kapitale të cilat na janë lejuar për t’i zhvilluar, të cilat po besoj që do ta ndihmojnë mjaft punën e Agjencisë”, tha Buleshkaj. /BetimipërDrejtësi