TEMPUS

Berbati-Zena: ANJF e përkushtuar të vazhdojë bashkëpunimin me OJQ-të

Flutura Berbati-Zena, zëvendësdrejtore ekzekutive e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas

Flutura Berbati-Zena, zëvendësdrejtore ekzekutive e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, tha se ANJF-ja është e përkushtuar të vazhdojë bashkëpunimin me organizatat joqeveritare.

“Na jemi në fazën e hartimit të koncept-dokumentit, por pa u lëshu fare në atë pjesë, mendoj që përmes mekanizmave koordinues, mekanizmat që i kemi me organizatat e shoqërisë civile, ne bashkërisht do të vazhdojmë të gjejmë së pari sfida që i kemi në sistemin tonë, t’i adresojmë ato dhe bashkërisht të arrijmë ta avancojmë sistemin e ndihmës juridike falas”, ka thënë Berbati-Zena në “Tempus“.

Ajo tha se AFNJ është e përkushtuar që mekanizmin me OJQ-të ta mirëmbajë dhe të kenë raporte të mira me të gjithë dhe se qëllimi i vetëm që duhet të arrihet është forcimi i sistemit të ndihmës juridike falas dhe arritja e të gjitha grupeve të cenueshme.

“Po ashtu, përmes këtij mekanizmi duke pasur parasysh që të gjitha organizatat kanë grupe specifike që mbulojnë që ofrojnë shërbime për to , ne presim që të rritet vetëdijesimi i të gjithë qytetarëve dhe të arrihet qasja e barabartë në drejtësi për të gjithë”, tha tutje Berbati-Zena.


Berbati-Zena: Deri më tani s’ka pasur ndërhyrje në ANJF

Flutura Berbati-Zena, zëvendësdrejtore ekzekutive e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, tha se në ANJF-ja nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga askush për orfrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe nuk është bërë asnjë ndryshim në ofrimin e tyre.

“Kur ka qënë koha Këshilli athëherë, kur ishte në detyrë, ka dorëzu një reagim publik në media, në Kuvend, në të gjithë institucionet gjegjëse, po ashtu edhe organizatat e shoqërisë civile kanë drejtuar pakënaqësitë e tyre te Avokati i Popullit, përkundër kësaj ligji për racionalizimin e Agjencioneve të Pavarura ka hy në fuqi, ne e kemi një ligj që duhet ta respektojmë, deri më tani nuk kemi pasur asnjë ndërhyrje në ofrimin e shërbimeve. Domethënë, shërbimet juridike janë komplet të pavarura, në formën se si ofrohen edhe pse Avokatura Shterërore ka si mission ata e kryejnë punën e tyre, ne i kryejmë punën tonë krejt çka ka ndryshim deri më tani është se linja e raportimeve është direkt te mininstrja dhe ministrja është hartuese e politikave tona”, tha Berbati-Zena në “Tempus“.

Sipas saj, shërbimet janë gjithmonë të pavarura, duke shtuar se asnjëherë nuk kanë pasur asnjë ndërhyrje në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe nuk kanë bërë asnjë ndryshim se si janë ofruar më herët.

Ajo tha se njëjtat shërbime janë ofruar edhe më herët të njëjtat janë edhe tani.

“Ne e kemi mision tonin ofrimin e shërbimeve të qytetarëve, këtë e bëjmë çdo ditë dhe do ta bëjmë derisa jemi aty. Ky është mision pse ne shkojmë në punë, për këtë punojmë dhe nuk ka asnjë ndërhyrje që mund ta ceki si ndërhyrje që ka ndikuar në shërbime, asnjëherë nuk ka ndodhur deri më tani”, tha Berbati-Zena.


Rezniqi: Kemi reaguar kur ANJF u vendos në ombrellën e MD-së në mënyrë që mos të politizohet

Arrita Rezniqi, koordinatore në Qendrën për Ndihmë Juridike të Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD), tha se kishin reaguar si IKD kur Agjencia për Ndihmë Juridike Falas u fut në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në mënyrë që mos të politizohet.

“Në kuadër të asaj që na bëjmë në përditshmëri në aspekt të bashkëpunimit që kemi me ANJF, tashmë kemi bashkëpunim shumë të mirë, shumë korrekt në atë trajtimin e rasteve dhe të ofrimit të ndihmës juridike falas për qytetarët por paraprakisht para ndryshimeve të fundit legjislative që janë bërë ka ekzistu këshilli i cili ka bë mbikëqyrjen e ANJF, ndërsa me ndryshimet ligjore tashmë ANJF ka kalu si Agjenci në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë”, ka thënë Rezniqi në emisionin “Tempus”.

Ajo tha se kjo ka qenë çështja për të cilën ata kanë reaguar, për të cilën tha se kanë pasur edhe një analizë të publikuar dhe kanë qenë shumë të zëshëm në atë periudhë kohore duke e konsideruar politizim të Agjencisë.

“Meqenëse ofrimi i ndihmës juridike falas hyn në kuadër të drejtave të njeriut dhe është një Agjenci jashtëzakonisht e rëndësishme mund të them strategjike në njëlloj farë forme për misionin dhe rolin që ka në shoqëri, në vendin tonë”, tha tutje Rezniqi.

Ajo tha se nuk mund të shohin apo të lejojnë që të politizohen të drejtat e njeriut, pra të drejtat e qytetarëve.

“Prandaj, kemi pas këtë reagim, ajo çka ka qenë kryesisht pjesa kryesore e asaj që ka qenë pjesë e analizës tonë ka pas të bëjë pikërisht me faktin që në kuadër të MD-së do të jetë një Agjenci për Ndihmë Juridike Falas, ku në të njëjtën kohë brenda ombrellës të MD-së është edhe Avokatura Shtetërore”, tha Reziniqi.


ANJF-ja ka trajtuar mbi 70 mijë raste, sfidë shtrirja e Agjencisë në gjithë territorin e vendit

Flutura Berbati-Zena, zëvendësdrejtore ekzekutive e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, tha se ANJF-ja deri tani ka trajtuar mbi 70 mijë raste, ndërsa foli edhe për sfidat me të cilat përballen si Agjenci.

Berbati-Zena tha se çdo organizatë gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive hasin në sfida të ndryshme, njëjtë edhe ANJF-ja tha se qysh prej themelimit tv saj ka kaluar në sfida të ndryshme.

“Deri në vitin 2021, kemi operuar me 7 zyra rajonale dhe në vitin 2021 është arrit që të gjithë të punësuarit në projektin e GIZ-it, të kalojnë si të punësuar në buxhetin e Republikës së Kosovës, edhe njëkohësisht është krijuar qëndrueshmëria për këto zyra, e që është një menaxhim i sfidës me sukses e që tash  nuk e kemi sfidën më për ato komuna”, tha Berbati-Zena në “Tempus“.

Sipas saj, tanimë është bërë zgjidhja e sfidës për zyrat e përkrahura nga GIZ, që janë 6 zyra të tjera tashmë, ku janë në fazën e rekrutimit të stafit.

Kjo pasi që sipas saj, sfida kryesore për ta kishte qenë mungesa apo pamundësia e shtrirjes së shërbimeve e Ndihmës Juridike Falas, në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por që gradualisht tanimë prej 6 zyreve janë 21 zyra, por arrijnë që t’i evitojë këto sfida.

“Sfidë tjetër gjatë punës tonë e kemi edhe numrin jo të mjaftueshëm të stafit, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas nga viti 2008, ka trajtuar mbi 70 mijë raste. Kemi mbajtë fushata, kemi dizajnuar fushata të ndryshme me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve, edhe para 3-4 viteve kanë qenë rreth 3 mijë raste në vit që janë trajtu, sot trajtohen mbi 6 mijë raste në vit”, tha ajo.

Sipas Berbati-Zenës, me këto statistika është e nevojshme rritja e stafit sepse në një zyrë trajtohen mbi 1 mijë raste me dy zyrtarë që punonjë.


Beka tregon se sa qytetarë përfituan ndihmë juridike falas nga organizata që drejton

Agron Beka, drejtor ekzekutiv i Organizatës “Banimi Social dhe të Drejtat Pronësore në Kosovë”, tha se nga viti 2021 deri më sot kanë procesuar gjithsej 2 mijë e 439 shërbime juridike të ndara sipas kategorive.

I ftuar në “Tempus“, Beka tha se janë 538 raste apo lëndë, 1 mijë e 901 këshilla juridike, prej tyre 1 mijë e 602 kanë qenë çështje administrative, 804 civile, 16 penale dhe 17 kundërvajtje.

“Deri më tani kemi shpërndarë diku rreth 2 mijë fletushka apo broshura të cilat i kemi nda nëpër komuna të cilat ne i mbulojmë. Po ashtu, kemi edhe kampanjat tona vetëdijesuese që kemi bo gjatë tërë kohës, edhe sot jemi duke bërë të njëjtën gjë. Përveç fletushkave kemi bërë edhe ndarjen e pyetësorëve, domethënë në lidhje me atë se sa janë të informuar qytetarët dhe çka mund të presin, cilat janë mundësitë e tyre, cilat janë mekanizmat të cilat ata mendojnë se duhet të kërkojnë ndihmë juridike falas, e çështje tjera”, ka thënë Beka.

Ai tha se deri më tani kanë marrëveshje mirëkuptimi me mbi 20 komuna në të cilat tha se kanë vepruar herë më shumë e herë më pak në projekte të ndryshme dhe se prania e tyre tashmë veç dihet.

“Por, normal që ne si organizata joqeveritare varemi nga donacionet kështu që nuk e di sa do të vazhdojmë, sa do të jemi të pranishëm aty, por deri më tani po besoj që kemi arrit një rezultat të mirë në punën tonë. Ne ashtu kështu e kemi një moto tjetër të cilën e praktikojmë, meqenëse themi nëse rasti nuk vjen te ne, ne shkojmë te rasti që domethënë se shkojmë shpesh me qytetarët në rrethana të ndryshme edhe në këto kampanjat derë më derë dhe po mendoj se kemi një mbulueshmëri të mirë, por edhe qytetarët e dijnë ku jemi”, tha Beka. 


Cilat kritere duhet t’i plotësojnë qytetarët për të përfituar ndihmë juridike falas?

Flutura Berbati-Zena, zëvendësdrejtore ekzekutive e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se ndihma juridike falas ofrohet për të gjithë qytetarët që nuk kanë mjete të mjaftueshme dhe e kanë të domosdoshme këtë ndihmë.

Sipas saj, për të pëfituar ndihmë juridike falas, qytetarët që kanë nevojë duhet t’i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj.

“Me Ligjin për Ndihmë Juridike Falas kemi tre kritere që përcaktojnë: Kriteri kualifikue, në bazë të së cilit ndihmën juridike falas e përfitojnë të gjithë personat që janë qytetarë të Republikës së Kosovës, personat që janë me qëndrim të përkohshëm në Republikën e Kosovës, të gjithë personat në bazë të reciprocitetit, domethënë nëse një shtet ofron për qytetarët e Republikës së Kosovës edhe Kosova ofron për qytetarët e atij shtetit dhe duhet të ketë marrëveshje mes këtyre shteteve. Po ashtu, edhe në bazë të së drejtës ndërkombëtare ofrohet ndihma juridike për qytetarët”, tha Berbati-Zena.

Kurse, kriteri tjetër tha se është ai financiar, i cili ndahet në primar dhe sekondar.

“Në bazë të kriterit primar, ndihmë juridike përfitojnë të gjthë personat që jetojnë me asistencë sociale ose gjendja e tyre ekonomike është e përafërt me ata që jetojnë në asistencë sociale si dhe kriteri sekondar, të gjithë personat të hyrat mesatare familjare të të cilëve nuk i tejkalojnë të hyrat mesatare në Kosovë”, tha ajo.

Berbati-Zena tha se në shkurt të 2022-ës ka hyrë në fuqi edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit, me të cilat përcaktohen kategoritë e veçanta që përfitojnë ndihmë juridike falas.

Sipas saj, në këto kategori bëjnë pjesë personat e dhunuar gjatë luftës në Kosovë, viktimat e dhunës në familje, viktimat e dhunës në bazë gjinore, viktimat e trafikimit me qenie njerëzore, e të tjerë./BetimipërDrejtësi