Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha, ka theksuar se raporti i Freedom House nuk përmban asnjë fjalë të vetme që e ndërlidh Qeverinë me korrupsionin.
“Nëse e marrim raportin e Freedom House, nuk mundesh me gjet asnjë fjalë të vetme që e ndërlidh ekzekutivin me korrupsion”, ka deklaruar Basha.
Sipas tij këtu bën përjashtim bën përjashtim dënimi me gjobë i ministres Rozeta Hajdari dhe zëvendësministres Liza Gashi për deklarim të pasurisë me vonesë.
Ai në emisionin “Tempus” në KTV ka deklaruar se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) dhe ai i Freedom House dallojnë në substancë, edhe pse trajtojnë tema pothuajse të njëjta.
Sipas deputetit, për sistemin e drejtësisë, e dinë edhe qytetarët se është i brishtë dhe se ka korrupsion e influencë të elitave politike dhe biznesore që ndikojnë në të.
Basha ka deklaruar se sa i përket mediave, numri më i madh i sulmeve të raportuara për 2023-n ndërlidhet me rastet në veri, ndërsa shqetësuese sipas tij janë edhe rastet e sulmeve në jug.
Deputeti i LVV-së ka thënë se raporti i Freedom House përmend reformat që ka ndjekur Qeveria për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“E gjen te Freedom House ku thotë se Kurti dhe Qeveria e tij ka ndjekur reformat që synojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, njëkohësisht e përmend që korrupsioni është evident në institucione publike sepse ne e dimë që kemi ende problem me korrupsion, por thotë edhe pas përpjekjeve të Qeverisë për ta luftuar atë”, është shprehur Basha.
Ai ka theksuar se janë duke punuar për ta shtyrë përpara procesin e Vettingut. Po ashtu ka përmendur edhe Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, Ligjin për Këshillin Prokurorial, e të cilat reforma, sipas tij, kanë hasur në vështirësi nga sistemi i drejtësisë, pasi siç ka thënë ai, Gjykata Kushtetuese i ka shpallur antikushtetues.
Basha: Nagip Krasniqi ia ka kthyer Kosovës 100 milionë euro, publiku s’i beson Prokurorisë
Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha, ka theksuar se ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi ia ka kthyer Kosovës 100 milionë euro dhe se sipas tij publiku në rastin e tij, nuk i beson Prokurorisë.
Në emisionin “Tempus” në KTV, deputeti i LVV-së ka deklaruar se në rastin e Krasniqit u bë një vit nuk ka aktakuzë.
“Për Nagip Krasniqin, ai djali që një vjet nuk ka aktakuzë, unë veç po ju kallxoj që me pas Prokuroria dëshmi që i kanë këta kolegët në studio se lajnë atë te shtëpia e çojnë në burg, ia hupin çelësin në deti ia gjuajnë. Nagip Krasniqi ia ka kthyer 100 milionë euro suficit KEK-ut, është njëri i parë duhet me kuptu që e marr vesh edhe betejën politike që bëhet, por ai djali po ndoshta ka qenë dhe nuk e di a është anëtar te na, por e ka kthyer LVV-në, nëse e ka dërguar LVV, ia ka fituar 100 milionë euro shtetit, kjo është për t’u krenuar, çka ka lidhje i cilës parti është, djali ka pru suficit, ata e kanë marrë e kanë ngre zhag, ai është rraskapitë edhe me krejt problemet që është tu u marrë”, është shprehur Basha.
Ai ka deklaruar se edhe para zgjedhjeve mund të ketë ndikime në sistemin e drejtësisë nga opozita, ku sipas tij, mund të ngrihen 20 aktakuza para zgjedhjeve vetëm për ta ulur poshtë (partinë), por sipas tij në asnjë moment nuk mund ta arrin atë nivel për ta bindur një qytetar të Republikës së Kosovës “që Albin Kurti po lidhet me Rozeta Hajdarin dhe po këqyr me e vjedh ca grurë”.
“S’mundesh ti me thanë për Nagip Krasniqin dhe rrjedhimisht Qeveria është e korruptuar kur Nagip Krasniqi nuk është pjesë e Qeverisë, është e ka udhëheqë një agjenci të pavarur siç është KEK-, edhe Prokuroria s’ka kurrgjë për këtë”, është shprehur Basha.