TEMPUS

Bajraktari: Mungesa e Strategjisë, mungesë e vullnetit për të luftuar korrupsionin

Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se mungesa e Strategjisë kundër korrupsionit është mungesë e vullnetit për ta luftuar korrupsionin. 

Sipas tij, ka një shpërputhje mes ligjeve të mira dhe pamundësisë së zbatimit në praktikë.

“E para, shpeshherë e ka shoqëruar procesin e hartimit të legjislacionit, nuk është materializu tutje me mbështetje të nevojshme materiale, përkatësisht buxhetore”, tha Bajraktari.

Ai përmendi ndryshimin e mandatit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ku janë shtuar kompetencat dhe kategoria e zyrtarëve që obligohen të deklarojnë pasurinë, por që nuk reflektohet me buxhet.

“Kjo në bindjen time reflekton mungesë të vullnetit politik për të adresuar këtë sfidë jo vetëm të fushës kundër korrupsionit, mirëpo edhe përgjithësisht të fushës së drejtësisë, sepse siç dihet ardhja në pushtet e Qeverisë aktuale me njërin prej top prioriteteve drejtësinë, natyrisht që kushdo që merret me fushën e drejtësisë ju ka gëzuar një prioritet të tillë për faktin se ka pas nevojë orientimi i prioriteteve në këtë drejtim”, tha Bajraktari.

Sipas tij, prioriteti nënkupton në radhë të parë ndarje të mjeteve buxhetore.

“Vit për vit, jo vetëm Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, mirëpo edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës edhe Këshilli Prokurorial, me rastin e hartimit të projektligjeve të buxheteve respektive dërgojnë kërkesa buxhetore në kuadër të Ministrisë së Financave të cilat në masë të konsiderueshme nuk aprovohen”, tha Bajraktari

Ai tha se rast konkret është rasti i Gjykatës Komerciale që është proklamuar edhe nga kjo Qeveri por edhe nga qeveritë paraprake si një arritje e jashtëzakonshme, ndërsa ajo në vitin e parë ka pasur sfida të jashtëzakonshme për funksionalizmin e saj, për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë që përcaktohen me ligj.

Tutje, Bajraktari tha se kjo shpërfaqë në masë të konsiderueshme mungesën e vullnetit politik për të adresuar këtë sfidë.

“Kur jemi te vullneti politik vetë mungesa e strategjisë e shpërfaqë më së miri këtë mungesë të vullnetit politik, për faktin se që nga viti 2022 me ligjin e ri është paraparë përgjegjësia ekskluzive e Qeverisë hartimi  i Strategjisë, e cila për fatin e keq nuk ka ndodh”, tha ai.
 

Lexo përditësimet tjera
Arrita Rezniqi

Cili është roli i shoqërisë civile në monitorimin e zbatimit të Konventës së OKB-së kundër korrupsionit?

Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, njëherësh koordinatore në Qendrën për...