TEMPUS

Bajraktari kërkon të rishikohet në tërësi Draft-strategjia kundër korrupsionit

Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari ka kërkuar një rishikim të plotë të draft-strategjisë kundër korrupsionit pasi ka identifikuar mangësi të theksuara në të.

Duke folur në emisionin “Tempus” të KTV-së, ai theksoi se draft-strategjia nuk duhet të jetë një dokument voluminoz, por përmbajtjesor, duke përfshirë hapa dhe veprime konkrete në luftën kundër korrupsionit.

“Ka mangësi të theksuara që do të duhej me i pasë dhe përmban elemente që nuk janë të nevojshme dhe nuk janë pjesë e një dokumenti të tillë strategjik. Prandaj, vlerësoj që e vetmja mundësi është që kjo të rishikohet në tërësi…Vlerësoj se me një rishikim komplet të këtij dokumenti me u parapa ekzaktësisht çështjet të cilat duhet të adresonin fenomenin e prezencës së korrupsionit dhe aktivitetit konkret të institucionit përkatës”, tha Bajraktari.

Ai theksoi se strategjia duhet të fokusohet në çështjet që adresojnë drejtpërdrejt korrupsionin dhe veprimet konkrete të institucioneve përkatëse.

Bajraktari gjithashtu nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes për sinjalizuesit, duke i quajtur ata “patriotët e kohës moderne”, pasi ata shpërfaqin shkeljet e ligjit.

Ai kërkoi që të sigurohet një klimë mbështetëse për sinjalizuesit, ku ata të jenë të inkurajuar të raportojnë dhe të sinjalizojnë pa u përballur me kërcënime dhe sfida./BetimipërDrejtësi