Shefi i Metas, Mark Zuckerberg ka thënë se i vjen keq që u dorëzua para presionit të Administratës së Bidenit për të censuruar përmbajtjen në Facebook dhe Instagram gjatë pandemisë së koronavirusit.
Në një letër dërguar Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ai ka thënë se zyrtarë të lartë, përfshirë disa të Shtëpisë së Bardhë, i bënë presion Metas për të hequr përmbajtje, ka raportuar BBC-ja të martën.
Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë ka mbrojtur veprimet e saj duke thënë se e ka inkurajuar Zuckerbergun për veprime “të përgjegjshme për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë publike”.
Zuckerberg ka shkruar gjithashtu se ka pasur përmbajtje të censuruar në lidhje me djalin e presidentit Joe Biden, Hunter, në prag të zgjedhjeve amerikane në vitin 2020.
“Në vitin 2021, zyrtarë të lartë nga administrata Biden, përfshirë nga ata të Shtëpisë së Bardhë, iu bënë vazhdimisht presion ekipeve tona për muaj të tërë për të censuruar disa përmbajtje për koronavirusin, duke përfshirë përmbajtje humoristike dhe satirike”, thuhet në letrën e shefit të Metas.
Ai ka shtuar se në ditët e sotme nuk do t'i merrnin vendimet që i kishin marrë vite më parë.
“Unë besoj se presioni i qeverisë ishte i gabuar dhe më vjen keq që nuk ishim të hapur për këtë”.
Ai ka thënë se Meta është e gatshme që në të ardhmen të mos veprojë në këtë mënyrë, derisa letra e Zuckerbergut u konsiderua nga republikanët si fitore e madhe e fjalës së lirë.