Tech

YouTube teston pajisjen e Inteligjencës Artificiale që klonon zërin e yjeve të muzikës

YouTube ka testuar një pajisje të Inteligjencës Artificiale që lejon përdoruesit të kopjojnë zërat e yjeve të muzikës pop si Demi Lovato apo John Legend, raporton BBC të enjten.

Ky funksion eksperimental, quhet “Dream Track”, dhe lejon përdoruesit të krijojnë këngë të shkurtra.

Nëntë artistë kanë lejuar që zëri i tyre të “klonohet” nga softueri, duke përfshirë Charli XCX, Troye Sivan, T-Pain dhe Sia.

Për tash, rreth 100 krijuesve në SHBA u është dhënë qasje në këtë pajisje, që mund të përdoret vetëm për video të shkurtra “YouTube Shorts” – rival i platformës TikTok.

Kompania ka publikuar dy video mostër të krijuar me “Dream Track”, me imitime të Charlie Puth dhe T-Pain.

Ky lansim vjen vetëm 24 orë pasi YouTube njoftoi se do të paralajmërojë përdoruesit kur janë duke shikuar një video të bërë me Inteligjencë Artificiale.

Po ashtu kompania do të lejojë njerëzit të kërkojnë heqjen e videove që përdorin IA për të simuluar një person të identifikueshëm.

“Dream Track” është më ndryshe pasi ka miratimin e qartë të artistëve të përfshirë.