Tech

WhatsApp nis fushatë për privatësi, pas kritikave

“Autoritetet duhet që të kërkojnë më shumë siguri, e jo më pak”, ka thënë për BBC-në shefi i WhatsAppit, Will Cathcart. “Hapi i parë për t’i mbajtur njerëzit të sigurt është që të kesh shumë siguri dhe mendojmë se qeveritë nuk duhet që t’i inkurajojnë kompanitë teknologjike që të ofrojnë siguri të dobët”, ka thënë ai, duke shtuar se “ato duhet t’i inkurajojnë apo madje t’i detyrojnë kompanitë që të ofrojnë siguri sa më të fortë që të jetë e mundur”

Aplikacioni i njohur i komunikimeve online WhatsApp ka lansuar fushatën e parë madhore në Mbretërinë e Bashkuar, e cila përqendrohet në çështjet e privatësisë.

Kjo ka ndodhur pak kohë pas një reagimi të ashpër nga konsumatorët kundër ndryshimeve në rregulla, të cilat janë publikuar në fillim të këtij viti. Platforma e njohur ka bërë të ditur se nuk do t’i ndërrojë vendimet, pavarësisht presionit nga qeveritë, përfshirë atë britanike, për të bërë kompromis për mënyrën se si i enkripton mesazhet, ka raportuar agjencia britanike e lajmeve BBC.

“Autoritetet duhet që të kërkojnë më shumë siguri, e jo më pak”, ka thënë për BBC-në shefi i WhatsAppit, Will Cathcart. “Hapi i parë për t’i mbajtur njerëzit të sigurt është që të kesh shumë siguri dhe mendojmë se qeveritë nuk duhet që t’i inkurajojnë kompanitë teknologjike që të ofrojnë siguri të dobët”, ka thënë ai, duke shtuar se “ato duhet t’i inkurajojnë apo madje t’i detyrojnë kompanitë që të ofrojnë siguri sa më të fortë që të jetë e mundur”.

Fushata është paraparë që të ndërmerret në të gjithë botën, duke filluar me Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë.

WhatsAppi përdor enkriptimin e mbyllur, që do të thotë se mesazhet mund të lexohen vetëm nga pajisja që i dërgon ato dhe nga pajisja që i pranon. As vetë WhatsAppi – dhe as kompania partnere Facebook – nuk mund t’i shohin dhe as nuk mund t’i ndërpresin ato, ndërsa këtë nuk mund ta bëjnë as fuqitë ligjore, ka shkruar BBC.

Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel, e ka përshkruar enkriptimin e mbyllur si “të papranueshëm” në luftën kundër shpërndarjes së përmbajtjeve të kundërligjshme. Në një fjalim në prill ajo kishte thënë se pret që të përdoret “në një mënyrë që është gjithashtu konsistente me mbrojtjen publike dhe sigurinë e fëmijëve”, por nuk ka elaboruar se si do të mund të funksiononte kjo gjë.

Facebooku ka bërë të ditur se ka për qëllim që ta shpërndajë enkriptimin edhe më shumë në shërbimet e tjera. WhatsApp tashmë është bllokuar në Kinë dhe është duke e paditur Qeverinë indiane për rregullat e reja digjitale, që do ta detyrojnë t’i shkelë rregullat për mbrojtjen e privatësisë. Rreth 400 milionë prej 2 milionë përdoruesish të saj në të gjithë botën vijnë nga India.

Lufta kundër përmbajtjeve të jashtëligjshme

Përderisa kompania nuk mund t’i shohë përmbajtjet e mesazheve, ajo ka krijuar të tjera funksione me anë të së cilave mund t’i bllokojë materialet e jashtëligjshme dhe dezinformatat e shpërndara gjerësisht.

WhatsAppi bllokon dy milionë llogari çdo muaj, ndërsa më 2020 platforma kishte raportuar 300 mijë fotografi te Qendra Kombëtare e Fëmijëve të Humbur, ka thënë Cathcart.

Këtë gjë ai e bën me anë të kombinimit të raporteve nga pranuesit e mesazheve dhe me përdorimin e të dhënave të paenkriptuara që WhatsAppi mund t’i shohë – siç është vëllimi i mesazheve që një llogari dërgon dhe sa grupe i ngërthen. Mesazhet që janë përcjellë shumë herë më parë tani gjithashtu janë etiketuar dhe janë përcaktuar kufizime se sa njerëz mund t’i ndajë një përdorues me të njëjtin mesazh.

Hutimi për rregullat

Në janar, me mijëra përdorues janë kërcënuar se do ta braktisin WhatsAppin, duke menduar gabimisht se platforma do të fillonte t’i ndante të dhënat e mesazheve me Facebookun, pas një njoftimi rreth rregullave të tij.

Ata që nuk e kanë pranuar përditësimin do të fillojnë ta humbin funksionalitetin, kanë pretenduar ata. Por, këto ishin deklarata të rreme që privatësia e mesazheve personale do të ndryshonte dhe me mijëra njerëz të alarmuar kaluan në shërbimet kundërshtare, të tilla si Signal dhe Telegram. Në fakt, ka raportuar BBC-ja, ndryshimet janë kryesisht të ndërlidhura me faktin që kompanive t’u mundësohet të pranojnë pagesa nëpërmjet WhatsAppit.

Will Cathcart ka thënë se kompania e merr përgjegjësinë e plotë për “hutimet” që njoftimi ka shkaktuar.

“Duhet të përsëris, asgjë nga privatësia e bisedave personale të njerëzve nuk ka ndryshuar me azhurnimin tonë”, ka thënë ai.

Përktheu: L. B.