Western Digital e ka prezantuar linjën komplete nga seria WD_BLACK të pajisjeve për hapësirë ruajtjeje për gaming. Me këtë linjë, kompania po e pozicionon WD_BLACK si brendin e saj të ri të dedikuar për gamerë, si në PC ashtu edhe në konzola, raporton TechPowerUp.
Brendi WD_BLACK paraqet një hap përpara nga linja klasike e kompanisë Western Digital Caviar Black e hard disqeve të brendshme. Brendi po e përjeton një lloj ringjalljeje me SSD-të WD_BLACK SN750 M.2 NVMe, shkruan KOHA Ditore. Dizajnerët e kompanisë po i njoftojnë gjithashtu disa produkte të reja, duke përfshirë hard diskun mobil WD_BLACK P10, hard diskun ekstern WD_BLACK D10, hard diskun mobil WD_BLACK P50, si dhe variantet Xbox për P10 dhe D10.

WD_BLACK P10 është një hard disk mobil xhepi, me një kabllo USB 3.1 për lidhje dhe mbushje. Ai vjen në kapacitetet prej 2TB, 4TB dhe 5TB. Varianti Xbox One vjen me etiketën Xbox One dhe e përfshin abonimin dy mujor Xbox Game Pass Ultimate.
WD_BLACK D10 është destinuar për përdorim në tavolinë, dhe vjen me kabllo të veçantë për mbushje dhe lidhje. Ai gjithashtu ka porte USB Type-A me bandwidth të madh, për mbushje të pajisjeve periferike dhe për gaming. Varianti bazik i këtij modeli vjen me një kapacitet prej 8TB, ndërsa versioni D10 Xbox One ka kapacitet prej 12TB dhe tre muaj abonim në Xbox Game Pass Ultimate.

Në fund, WD_BLACK P50 është një SSD mobil, i cili ka NVMe drajv dhe siguron norma të bartjes së të dhënave prej deri në 2000 MB/s, me një interfejt USB 3.2 Gen 2x2 (20 Gbps). Vjen në kapacitetet prej 500 GB, 1TB dhe 2TB.