Twitteri po punon që t’ua rikujtojë përdoruesve se postimet interesante janë diçka ku duhet të klikoni dhe t’i lexoni në origjinal dhe jo përmes një screenshoti. Prandaj disa përdorues po shohin shkrimin “shpërndaje postimin” sa herë që tentojnë të bëjnë screenshot.
Screenshotat e shkrimeve të Twitterit shpërndahen në Instagram dhe rrjete të tjera.
Për t’i ikur kësaj, Twitteri ka filluar të sugjerojë alternativën që pyet përdoruesit nëse duan ta shpërndajnë postimin origjinal kur ata tentojnë ta bëjnë screenshot, raportoi të shtunën ArsTechnica.
Shpërndarja e shkrimeve të Twitterit si screenshot shtrembëron matjet e angazhimit të përdoruesve në rrjetin social, duke keqinterpretuar numrin aktual. Twitter me sa duket është i interesuar sepse nuk mund të fitojë para nga screnshotat pasi ato përfundojnë në një platformë tjetër të rrjeteve sociale.
Disa përdorues të Twitterit kanë sugjeruar që ideale do të ishte që screenshotat të shënjohen me markën e Twitterit ashtu siç bën TikToku kur kopjohet në rrjete të tjera sociale. Kjo ndoshta nuk e zgjidhë problemin, por të paktën ua rikujton përdoruesve të rrjeteve se nga ka ardhur një përmbajtje.