Tech

Turqia gjobit TikTokun me 93 mijë euro për masa të dobëta të mbrojtjes së të dhënave

TikTok

Autoritetet turke kanë gjobitur TikTokun me 93 mijë dollarë për mosmarrjen e masave të mjaftueshme për të mbrojtur përdoruesit nga përpunimi i paligjshëm i të dhënave të tyre, ka njoftuar të mërkurën Bordi për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, raportoi Reuters.

Gjobitja ndodhi mes shqetësimeve në rritje të ndërkombëtarëve mbi aplikacionin kinez për ndarjen e videove të shkurtra dhe se kush i qaset të dhënave të përdoruesit.

Institucionet qeveritare në Evropë dhe Kanadaja e ndaluan aplikacionin nga telefonat e stafit dhe Shtetet e Bashkuara po diskutojnë një projekt-ligj që i jep Presidentit Joe Biden fuqinë për të ndaluar TikTokun.

Bordi tha se ka vendosur të gjobiste kompaninë për mosmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për të siguruar nivelin e duhur të sigurisë për të parandaluar përpunimin e paligjshëm të të dhënave personale.

Autoriteti i mbrojtjes së të dhënave tha gjithashtu në një deklaratë se TikToku duhet të përkthejë kushtet e tij të Shërbimit në turqisht dhe të përditësojë tekstet e politikës së tij të privatësisë në përputhje me rregulloret e vendit.

Turqia renditet si vendi i nëntë me më së shumti përdorues të TikTokut në botë, me rreth 30 milionë llogari në këtë platformë.