Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka kërkuar Gjykatës së Lartë ta shtyjë vendimin për ndalimin e rrjetit social TikTok ndërsa ka thënë se po punon për “zgjidhje politike”, shkruan BBC.
Avokati i republikanit të premten paraqiti përmbledhje ligjore në gjykatë në të cilën thuhet se Trumpi kundërshton ndalimin e TikTokut dhe do ta zgjidhë çështjen me mjete politike pasi ta marrë detyrën.
Më 10 janar, Gjykata e Lartë do të dëgjojë argumentet mbi ligjin amerikan që kërkon që pronari kinez i TikTokut, ByteDance, ta shesë rrjetin social te një kompani amerikane ose do të përballet me ndalim nga 19 janari – një ditë para se Trumpi ta marrë detyrën.
Zyrtarët dhe ligjvënësit amerikanë kishin akuzuar ByteDance për lidhje me qeverinë kineze – gjë që kompania e mohon.
Këto pretendime për aplikacionin që ka 170 milionë përdorues në SHBA bën që Kongresi ta miratonte një projektligj në prill, të cilin presidenti Joe Biden e ktheu në ligj, që përfshinte kërkesën për shitje ose ndalim të TikTokut.
TikTok dhe ByteDance kanë paraqitur argumente të shumta kundër ligjit, duke thënë se kërcënon mbrojtjen e fjalës së lirë amerikane, por s’ka pasur shumë sukses. Shpresa e vetme e kompanisë është Gjykata e Lartë.
Gjykata e Lartë në SHBA ra dakord ta lejojë TikTokun, ByteDance dhe qeverinë amerikane të paraqesin çështjet e tyre më 10 janar - vetëm disa ditë përpara se ndalimi të hyjë në fuqi.
Trumpi ishte takuar me shefin e TikTokut, Shou Zi Chew, në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida javën e kaluar.
Presidenti i zgjedhur më herët ishte shprehur hapur për ta ndaluar TikTokun në SHBA. Por ai ka thënë se ky rrjet social e ndihmoi shumë t’i fitonte zgjedhjet e 5 nëntorit. Sipas tij, republikanët asnjëherë nuk kanë marrë më shumë vota të të rinjve dhe kjo i atribuohet TikTokut. Prandaj, qëndrimi i Trumpit ka ndryshuar.