Tech

TikToku u dërgon njoftim urgjent përdoruesve

Tiktoku ne SHBA

TikToku u ka kërkuar përdoruesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që t'u kërkojnë senatorëve të votojnë kundër projektligjit që ndalon aplikacionin në SHBA.

Sipas projektligjit, nëse pronarja e TikTokut, “ByteDance” e Kinës nuk e shet aplikacionin te një kompani tjetër, atëherë duhet të ndalohet në SHBA.

“Thuajini senatorit tuaj se sa i rëndësishëm është TikToku për ju. Kërkojuni atyre të votojnë kundër ndalimit të TikTok”, thuhet në njoftim, raporton Reuters.

Sipas njoftimit, nëse Senati miraton projektligjin, “e ardhmja e komunitetit TikTok që ju doni mund të shuhet”.

Në fillim të kësaj jave, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së votoi me shumicë dërrmuese për të miratuar projektligjin që i jepte “ByteDance” gjashtë muaj kohë për të shitur aplikacionin.

Nëse jo, TikToku do të ndalohet në SHBA, sipas projektligjit.

Shtëpia e Bardhë njoftoi më parë se Senati duhet ta miratojë shpejt ligjin dhe presidenti Joe Biden është shprehur i gatshëm ta nënshkruajë.