Brenda pak minutash platforma jashtëzakonisht e njohur po rekomandonte video rreth humbjes së peshës dhe dëmtimit të vetvetes, duke përfshirë ato që shfaqnin foto modelesh dhe tipa të idealizuara trupore, imazhe të briskut dhe diskutime për vetëvrasje
Algoritmet e TikTokut po promovojnë video në lidhje me vetëdëmtimin dhe çrregullimet e të ngrënit tek adoleshentët e ndjeshëm, thuhet në raportin e botuar që thekson shqetësimet në lidhje me mediat sociale dhe ndikimin e tyre në shëndetin mendor të të rinjve.
Studiuesit në Qendrën jofitimprurëse Kundër Urrejtjes Digjitale kanë krijuar llogari në TikTok për persona imagjinarë adoleshentë në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Australi. Studiuesit që operojnë llogaritë më pas “pëlqejnë” videot rreth vetëdëmtimit dhe çrregullimeve të të ngrënit për të parë se si do të përgjigjet algoritmi i TikTokut.
Brenda pak minutash platforma jashtëzakonisht e njohur po rekomandonte video rreth humbjes së peshës dhe dëmtimit të vetvetes, duke përfshirë ato që shfaqnin foto modelesh dhe tipa të idealizuara trupore, imazhe të briskut dhe diskutime për vetëvrasje.
Kur studiuesit krijuan llogari me emra përdoruesish që sugjeronin një ndjeshmëri të veçantë ndaj çrregullimeve të të ngrënit - emra që përfshinin fjalët “humbni peshë” për shembull – llogaritë u mbushën me përmbajtje edhe më të dëmshme.
Mesazhe të rrezikshme
“Është si të ngecësh në një sallë pasqyrash të shtrembëruara ku të thuhet vazhdimisht se je i shëmtuar, nuk je mjaftueshëm i mirë, ndoshta duhet ta vrasësh veten,”, ka thënë themeluesi i qendrës, Imran Ahmed, organizata e të cilit ka zyra në SHBA dhe Britani të Madhe. “Po dërgon fjalë për fjalë mesazhet më të rrezikshme të mundshme për të rinjtë”.
Algoritmet e mediave sociale funksionojnë duke identifikuar temat dhe përmbajtjen me interes për një përdorues, i cili më pas dërgohet më shumë si një mënyrë për të maksimizuar kohën e tyre në faqe. Por kritikët e mediave sociale thonë se të njëjtat algoritme që promovojnë përmbajtje në lidhje me një skuadër sportive të caktuar, hobi ose vallëzim mund t’i dërgojnë përdoruesit në një “skutë” me përmbajtje të dëmshme.
Është një problem i veçantë për adoleshentët dhe fëmijët, të cilët priren të kalojnë më shumë kohë në internet dhe janë më të prekshëm ndaj ngacmimit, presionit të bashkëmoshatarëve ose përmbajtjeve negative në lidhje me çrregullimet e të ngrënit ose vetëvrasjes, sipas Josh Golin, drejtor ekzekutiv i “Fairplay”, organizatë jofitimprurëse që ofron më shumë mbështetje e mbrojtje për fëmijët.
Ai ka shtuar se TikToku nuk është e vetmja platformë që dështon t’i mbrojë përdoruesit e rinj nga përmbajtja e dëmshme dhe mbledhja agresive e të dhënave.
“Të gjitha këto dëme janë të lidhura me modelin e biznesit”, ka theksuar Golin. “Nuk ka asnjë ndryshim se çfarë është platforma e mediave sociale”.
Në një deklaratë nga një zëdhënës i kompanisë, TikTok i ka kundërshtuar gjetjet, duke vënë në dukje se studiuesit nuk e përdorën platformën si përdoruesit tipikë dhe duke thënë se rezultatet ishin anuar si përfundim. Kompania ka deklaruar gjithashtu se emri i llogarisë së një përdoruesi nuk duhet të ndikojë në llojin e përmbajtjes që përdoruesi merr.
Sfida e gjuhës së koduar
TikToku i ndalon përdoruesit që janë më të rinj se 13 vjeç dhe rregullat e tij zyrtare ndalojnë videot që inkurajojnë çrregullime të të ngrënit ose vetëvrasjes. Përdoruesit në SHBA që kërkojnë përmbajtje në lidhje me çrregullimet e të ngrënit në TikTok marrin një njoftim të shpejtë që ofron burime të shëndetit mendor dhe informacione kontakti për Shoqatën Kombëtare të Çrregullimeve të Ushqimit.
“Ne konsultohemi rregullisht me ekspertë shëndetësorë, heqim shkeljet e politikave tona dhe sigurojmë qasje në burime mbështetëse për këdo që ka nevojë”, thuhet në deklaratën e TikTokut, i cili është në pronësi të ByteDance Ltd., kompani kineze tani me qendër në Singapor.
Pavarësisht përpjekjeve të platformës, studiuesit në Qendrën Kundër Urrejtjes Digjitale zbuluan se përmbajtja rreth çrregullimeve të të ngrënit ishte parë në TikTok miliarda herë. Në disa raste studiuesit zbuluan se përdoruesit e rinj të TikTokut po përdornin gjuhë të koduar në lidhje me çrregullimet e të ngrënit në një përpjekje për të shmangur moderimin e përmbajtjes së TikTokut.
Sasia e madhe e përmbajtjes së dëmshme që u jepet adoleshentëve në TikTok tregon se vetërregullimi ka dështuar, ka theksuar Ahmed, duke shtuar se rregulla federale nevojiten për t’i detyruar platformat të bëjnë më shumë për të mbrojtur fëmijët.
Ahmed vuri në dukje se versioni i TikTokut i ofruar për audiencën vendase kineze është krijuar për të promovuar përmbajtje rreth matematikës dhe shkencës tek përdoruesit e rinj dhe kufizon sa kohë mund të jenë 13 dhe 14-vjeçarët në faqe çdo ditë.
Një propozim përpara Kongresit do të vendoste rregulla të reja që kufizojnë të dhënat që platformat e mediave sociale mund të mbledhin në lidhje me përdoruesit e rinj dhe të krijojnë një zyrë të re brenda Komisionit Federal të Tregtisë, e fokusuar në mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve të rinj të mediave sociale.
Përktheu: Blerta Haxhiu