Që nga lansimi në vitin 2016, aplikacioni kinez TikTok ka fituar 10 miliardë dollarë nga përdoruesit në mbarë botën dhe është në rrugën e duhur për t'u bërë aplikacioni me fitimet më të larta në histori, sipas raportit të fundit nga “data.ai”.
“TikToku do t'i afrohet 15 miliardë dollarëve të ardhura në vitin 2024. Përdoruesit shpenzojnë mbi 11 milionë dollarë në ditë për të mbështetur krijuesit e tyre të preferuar”, ka thënë përfaqësuesja e “data.ai”, Lexi Sydow, shkruan CNN.
Ajo pret që përdoruesit e TikTokut të kalojnë 40 orë në muaj në aplikacion, 22 për qind më shumë nga viti aktual.
TikTok fiton para nga të ashtuquajturit “Coins”, të cilat përdoruesit mund t'i përdorin për të blerë dhurata për influencuesit në platformë dhe aplikacioni mban 50 për qind të pagesës.
Këtë vit, përdoruesit e kanë blerë më së shpeshti paketën me 1.321 monedha për 19.99 dollarë, dhe këto blerje përfaqësojnë 25 për qind të të gjitha të ardhurave të TikTokut.
Kompania kineze ka edhe burime të tjera të ardhurash si reklamat dhe blerjet online.
Aplikacioni i takimeve Tinder dhe platforma YouTube po i afrohen 10 miliardë dollarë të ardhura, por mbesin pas TikTokit me 2 deri në 3 miliardë dollarë më pak.