Tech

TikToku po përfiton nga pjesëtarët e kampeve siriane që po inkuadrohen ‘live’

Familjet e zhvendosura në kampet siriane po i kërkojnë donacione TikTokut, ndërsa kompania merr deri në 70% të të ardhurave, zbuloi një hetim i BBC-së të mërkurën.

Fëmijët po futen ‘live’ në rrjetin social për orë të tëra duke u lutur për dhurata digjitale që mund të kthehen në vlera parash.

BBC-ja ka parë fitimet që arrijnë deri në 1,000 dollarë në orë, por gjeti se njerëzit në kampe marrin vetëm një pjesë të vogël të tyre.

Image

TikToku ka thënë se kjo lloj përmbajtje që po e bëjnë ata nuk lejohet në platformë duke mos treguar shumën e saktë që përfiton.

Në kampet në Siri, media britanike gjeti se trendi i futjes ‘live’ po lehtësohej nga të ashtuquajturit “ndërmjetës të TikTokut” të cilët u siguronin familjeve telefona dhe pajisje për transmetim.

Ndërmjetësit thanë se punonin me agjenci të lidhura me TikTokun në Kinë dhe Lindjen e Mesme, që u jepnin qasje familjeve në llogari të rrjetit.

Mona Ali Al-Karim dhe gjashtë vajzat e saj janë mes familjeve që hyjnë ‘live’ çdo ditë, ulen në dysheme për orë të tëra duke përsëritur fraza në gjuhën angleze, si: “Ju lutem pëlqejeni, shpërndajeni, ju lutem shpërblejeni”, referuar përmbajtjes së tyre.

Dhuratat që ato kërkojnë janë virtuale, por kostoja për shikuesit është para e vërtetë dhe mund të tërhiqen nga aplikacioni si para të vërteta. Shikuesit e ‘livet’ dërgojnë dhurata digjitale, si për shembull trëndafila digjitalë që kushtojnë disa centë, te luanët virtualë që shkojnë në 500 dollarë – për të shpërblyer krijuesit e përmbajtjes.

Për pesë muaj, BBC-ja ndoqi 30 llogari TikToku që transmetonin ‘live’ nga kampet siriane dhe mori informacione nga to, nga ku doli se shikuesit shpesh dhuronin dhurata digjitale në vlerë deri në 1,000 dollarë në orë në secilën llogari.

Familjet në kampe thanë se merrnin vetëm një pjesë të vogël të parave. Por, për shumë nga këto familje ka pak opsione të tjera që të bëjnë para përveç lutjes online. Qindra prej tyre vazhdojnë si lypës ‘live’ përditë, dhe pjesa më e madhe e parave të dhuruara ende shkon për TikTokun.