TikToku në mënyrë “proaktive dhe agresive” po heq videot me përmbajtjen e një letre të shkruar nga Osama bin Laden duke justifikuar sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, ka thënë kompania.
Videot që i referohen letrës së vitit 2002 janë përhapur nëpër rrjete sociale në fillim të javës.
“Përmbajtja që promovon këtë letër qartë shkel rregullat tona të mbështetjes së çfarëdo forme terrorizmi”, ka thënë TikToku, raportoi Guardian.
Video me përmbajtjen e letrës së Bin Ladenit që mbante emrin “Letër Amerikës” ka qarkulluar në mes të luftës Izrael-Hamas. Hashtagu “#lettertoamerica” është përdorur më shumë se 10 milionë herë deri të enjten para se kompania të bllokonte kërkimet për të.
Videot kanë kaluar edhe në platformën X duke u shpërndarë fillimisht nga një shkrimtar që shkroi se mijëra video kishin shpërthyer në TikTok me letrën e bin Ladenit. Vetë postimi i këtij shkrimtari kishte marrë mbi 11,000 ripostime dhe 23.8 milionë shikime.
Në letër, Bin Ladeni u adresohej amerikanëve me dy pyetje: “Pse po luftojmë dhe po ju kundërshtojmë” dhe “Çfarë duam nga ju”, të cilat vetë i pati sqaruar. Ai dënonte mbështetjen e SHBA-së për Izraelin dhe akuzonte amerikanët se po ndihmonin në shtypjen e popullit palestinez. Bin Ladeni, i cili u vra në një operacion special të SHBA-së në Pakistan më 2011, dënonte po ashtu intervenimet e SHBA-së në Afganistan, Irak, Somali, Kashmir, Çeçeni dhe Liban.
Mediat e kanë fshirë tekstin e plotë të letrës në ditët e fundit për shkak të shpërndarjes pa kontekstin e plotë të saj.