Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës ka bërë të ditur se ka kërkuar nga aplikacioni TikTok që të publikojë në gjuhën shqipe politikat e privatësisë dhe ta rrisë moshën e lejuar për përdoruesit në Kosovë nga 13 në 16 vjet.
Siç ka bërë të ditur AIP, TikTok ka njoftuar se i ka realizuar këto kërkesa.
“Me iniciativë të Komisioneres për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku dhe pas takimit të realizuar me përfaqësues të platformës TikTok, Agjencia për Informim dhe Privatësi për qëllim të informimit të drejtë të përdoruesve nga Kosova, ka kërkuar nga platforma TikTok që të publikojnë Politikat e Privatësisë në gjuhën shqipe, të përcaktojë moshën e pëlqimit dhe pëlqimin prindëror për përdoruesit nga 13-16 vjet dhe të emërojë një përfaqësues ligjor për Kosovë. TikTok së fundmi ka njoftuar Agjencinë se Politikat e Privatësisë i kanë bërë publike në gjuhën shqipe, ashtu siç parashihet me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Gjithashtu, TikTok ka ndryshuar moshën minimale të lejuar nga 13 vjeç në 16 vjeç, në përputhje me kërkesën e Komisioneres dhe legjislacionin aktual në fuqi”, thuhet nga AIP.
AIP ka këshilluar prindërit që të monitorojnë përdorimin e aplikacioneve nga fëmijët e tyre dhe t’u flasin fëmijëve mbi sjelljet e duhura në internet.