Tech

Paneli diellor që grumbullon energji në hapësirë për ta rikthyer në Tokë

Paneli – i njohur me emrin PRAM – ishte i pari i tillë që ishte lansuar në maj të vitit 2020, i ngjitur për dronin pa pilot X-37B të Pentagonit, me qëllim që të mbledhë energji drite nga dielli për ta shndërruar atë më pas në elektricitet. Droni do të sillet rreth Tokës çdo 90 minuta

Londër, 26 shkurt – Shkencëtarët që punojnë për Pentagonin e kanë testuar me sukses një panel diellor në hapësirë, i cili e ka madhësinë e një kutie të picës dhe është i dizajnuar si prototip i një sistemi të ardhshëm për të përçuar rrymë nga hapësira në ndonjë pikë të caktuar në tokë.

Paneli – i njohur me emrin PRAM – ishte i pari i tillë që ishte lansuar në maj të vitit 2020, i ngjitur për dronin pa pilot X-37B të Pentagonit, me qëllim që të mbledhë energji drite nga dielli për ta shndërruar atë më pas në elektricitet. Droni do të sillet rreth Tokës çdo 90 minuta.

Paneli është krijuar në atë formë që ta përdorë sa më mirë dritën në hapësirë, e cila nuk kalon nëpër atmosferë. Kësisoj, ai e ruan energjinë e valëve të kaltra, duke e bërë më të fuqishme sesa drita e diellit që arrin në Tokë. Drita e kaltër difuzohet në hyrje të atmosferës dhe kjo është arsyeja pse qielli duket i kaltër.

“Po marrim një ton dritë dielli shtesë në hapësirë, vetëm falë kësaj”, ka thënë Paul Jaffe, bashkëkrijues i projektit.

“Eksperimentet më të fundit kanë treguar se paneli prej 12x12 inçësh është i aftë që të prodhojë rreth 10 vatë energji për transmision”, ka thënë Jaffe për CNN-in. Kjo mjafton për të pasur energji elektrike të mjaftueshme për një tablet.

Por projekti përfshin një grup panelesh dhe, nëse shtohen, suksesi i tij do të përbënte revolucion në mënyrën e gjenerimit të fuqisë elektrike, si dhe në mënyrën e shpërndarjes së saj në cepat më të largët të globit. Kjo gjë do të mund të kontribuonte në rrjetet më të mëdha të Tokës, ka thënë Jaffe.

Pajisja, në fakt, ende nuk ka dërguar energji drejtpërdrejt në Tokë, por kjo teknologji tashmë është dëshmuar. Nëse projekti kalon në antenë të madhe diellore do të mund të krijonte mikrovalë, të cilat më pas mund të shndërrohen në elektricitet pa karburant në çfarëdo pjese të planetit.

“Përparësia unike që satelitët diellorë të energjisë kanë mbi çfarëdo burimi të energjisë është pikërisht tek transmetueshmëria globale”, ka thënë Jaffe. “Energjia do të mund të dërgohej në Chicago dhe pas një sekonde, nëse ekziston nevoja, edhe në Londër apo në Brasili”.

Por një faktor kyç që duhet të testohet është realizueshmëria ekonomike, është shprehur Jaffe, teksa ka shtuar se ekzistojnë disa përparësi po qe se krijohen ndërtesa në hapësirë.

“Në Tokë e kemi këtë gravitet shqetësues që ndihmon për t’i mbajtur gjërat në vendin e tyre, por është problem kur filloni të ndërtoni gjëra shumë të mëdha, pasi që ato duhet ta mbështesin vetë peshën e tyre”, ka thënë Jaffe.

Në janar Jaffe dhe bashkëthemeluesi i programit PRAM, Chris DePuma, i kishin publikuar rezultatet e para të eksperimentit të tyre në gazetën “IEEE Journal of Microwaves”, të cilat treguan se “eksperimenti është duke funksionuar”, ka thënë Jaffe.

Projekti është financuar dhe krijuar nga Pentagoni, Fondi “Operational Energy Capability Improvement” (OECIF), si dhe Laboratori amerikan i Kërkimeve Detare në Washington DC.

Ekspertët kanë bërë megjithatë të ditur se temperatura në të cilën PRAM-i funksionon është çelësi. Mjetet elektronike më të ftohta janë më efikase, ka thënë Jaffe.

Çfarëdo versioni i ardhshëm i PRAM-it mund të vendoset në një orbitë gjeosinkronike, që do të thotë se rrotullimi merr kohë rreth një ditë, gjatë së cilës pajisja, pjesën më të madhe të kohës, do të jetë në dritën e diellit, përderisa është duke udhëtuar shumë larg nga Toka.

Eksperimenti ka përdorur klima të ndryshme në përpjekjen për ta mbajtur PRAM-in në një temperaturë konstante, të ngrohtë për të dëshmuar se sa efikas do të mund të jetë po qe se do të rrotullohej 36.000 kilometra nga Toka. Dhe kjo gjë funksionoi.

“Hapi logjik i radhës është që ta ngremë në një zonë më të madhe, që grumbullon më shumë rreze dielli, që i shndërron më shumë në mikrovalë”, ka thënë Jaffe.

Përveç kësaj, shkencëtarët do të duhej ta testonin energjinë e kthyer në Tokë.

“Panelet do ta dinë me saktësi se ku t’i dërgojnë mikrovalët dhe nuk do t’i gjuajnë aksidentalisht në cakun e gabuar, duke e përdorur një teknikë të quajtur ‘kontrolli retro-direaktiv i rrezes’. Kjo dërgon një sinjal pilot nga antena e vendndodhjes në Tokë te panelët në hapësirë”, ka specifikuar Jaffe.

Rrezet e mikrovalës do të transmetohen vetëm kur do të merret sinjali pilot, gjë që do të thotë se pranuesi ka qenë në vend dhe është gati.

“Mikrovalët – që me lehtësi do të kthehen në elektricitet në Tokë – do të mund të dërgohen në çfarëdo pike në planet me një pranues”, ka thënë Jaffe.

Ndërkaq bashkëthemeluesi i PRAM-it, DePuma, ka thënë se teknologjia, po qe se vihet në dispozicion sot, do të ketë zbatime të menjëhershme në katastrofat natyrore, kur infrastruktura normale është shkatërruar.

“Familja ime jeton në Teksas dhe ata janë duke jetuar aktualisht pa rrymë në mes të të ftohtit, për shkak se rrjeti elektrik është i mbingarkuar”, ka thënë DePuma. “Kështu që, nëse do ta kishim një sistem si ky, do të mund të ridrejtonim pak energji atje, dhe gjyshja ime do të kishte përsëri ngrohje në shtëpinë e saj”.