Platforma e mesazheve “Telegram” pretendon të ketë pasur një vërshim përdoruesish të rinj gjatë periudhës sa shërbimi për mesazhe i rivalit Facebook pati rënie gjatë ditës së djeshme.
Në një mesazh dërguar në kanalin e tij të Telegramit, themeluesi Pavel Durov shkroi: “Po e shoh se 3 milionë përdorues të rinj janë regjistruar në Telegram brenda 24 orëve”.
Kuptohet se kjo nuk është rastësi pasi Facebooku dhe aplikacionet e familjes së tij ishin jashtë funksionit pothuajse gjatë tërë ditës së mërkurë, siç u raportua më herët, transmeton Koha.net.
Durov nuk ka ofruar ndonjë sqarim për këtë ngritje të përdoruesve në Telegram, por ngacmon paksa rrjetin gjigant social Facebook, themeluesi i së cilit kohë më parë tha se planifikon të përmirësojë “privatësinë”.
“Mirë. Kemi privatësi të vërtetë dhe hapësirë të pakufizuar për të gjithë”, shkroi më tej Durov në kanalin e tij, duke u uruar mirëseardhje 3 milionë përdoruesve të rinj të Telegramit.
Një kontakt në Telegram konfirmoi për “TechCrunch” se rënia e aplikacioneve të Facebookut me gjasë ka qenë shkaktari i këtij vërshimi masiv, duke thënë: “Këto rënie gjithmonë na sjellin përdorues të rinj”.
Një vit më parë, Telegrami tregoi se kishte kaluar 200 milionë përdorues aktivë në muaj. Edhe pse platforma është përballur me restrikcione dhe/ose bllokada në disa tregje (kryesisht në Rusi dhe Iran, por edhe në Kinë) – me gjasë për shkak të refuzimit të kërkesave nga qeveritë për çelësa të enkriptimit dhe/ose të dhëna për përdoruesit.