Aplikacioni i mesazheve “Telegram” do të nisë një plan abonimi me pagesë për përdoruesit e tij këtë muaj, tha themeluesi Pavel Durov të premten.
Përdoruesit që do të zgjedhin “Telegram Premium” do të kenë një kufi më të lartë për bisedat, mediat dhe ngarkimet e skedarëve, tha Durov në një postim në blog.
"E vetmja mënyrë për t'i lejuar fansat tanë më kërkues të marrin më shumë, duke i mbajtur të lira veçoritë tona ekzistuese, është t'i bëjmë ato një opsion me pagesë," tha ai.
Aplikacioni, së bashku me mjetin e mesazheve Signal, kanë parë një rritje të përdoruesve pas shqetësimeve për privatësinë te rivali më i madh “WhatsApp” i cili është në pronësi të Meta Platforms Inc.
Telegrami aktualisht ka 500 milionë përdorues aktivë mujorë, dhe është një nga 10 aplikacionet më të shkarkuara në botë, sipas faqes së saj të internetit.
Durov tha se masa për të ofruar një abonim me pagesë po bëhet për të siguruar që Telegrami të mbetet i financuar kryesisht nga përdoruesit e tij dhe jo nga reklamuesit.