Tech

Të lexosh buzët e të famshmëve kthehet në “profesion” në TikTok

Të lexosh buzët është bërë një “profesion” tashmë për disa njerëz, të cilët zgjedhin të “deshifrojnë” bisedat e të famshmëve në tapetin e kuq, por jo vetëm.

Ata po fitojnë shumë ndjekës të zjarrtl në TikTok, por po ashtu edhe para, pasi kurioziteti për të zbuluar se çfarë thonë yjet botërore është i lartë.

Një ndër to është edhe Nina Dellinger, 16-vjeçarja amerikane, e cila tregoi për New York Times se e zbuloi aftësinë e saj për të lexuar buzët me një shok klase.

Kështu ajo pa bisedën mes Taylor Swift dhe Phoebe Bridgers në iHeartRadioMusic ku nuk dëgjohej se çfarë thonin, teksa ishin ulur në rreshtin e parë të eventit.

Dellinger, publikoi një audio të qartë të asaj që ajo mendon se po thotë Swift, duke pretenduar se ylli i thotë shoqes së saj: “Ai është lloji i personit që pëlqej, kështu që, është shumë mirë ta kem atë afër meje “me kohë të plotë”… shumë mirë”:

Gjithashtu edhe pas bisedës virale të tensionuar të J-Lo me bashkëshortin e saj Ben Affleck në Grammy të këtij viti, u shfaqën qindra video në rrjete sociale, në përpjekje për të zbuluar se çfarë thotë çifti i famshëm. Në video pretendohet se këngëtarja i thotë “provoje, provoje” bashkëshortit të saj.

Edhe video të tjera të çiftit u bënë virale, ku duket se Lopez kritikohet nga Affleck për një gotë verë. Sipas “lexuesit të buzëve”, ata pretendojnë se ai i tha këngëtares “asnjë më shumë”, teksa fotografoheshin në festën e filmit Shotgun Wedding.

Një tjetër lexuese buzësh, Krystin Kalvoy, 25 vjeç, ka grumbulluar miliona shikime me interpretimet e asaj që thonë disa nga yjet më të famshëm në botë.

Ajo u tha ndjekësve se kishte lindur me humbje të dëgjimit, duke thënë :”Për shkak të kësaj unë mbështetem shumë në shprehjet e fytyrës së njerëzve, lëvizjet e duarve, buzët e tyre për t’ia dalë mbanë”.

25-vjeçarja pranon se kjo nuk është një punë, por e bën vetëm për argëtim.

Kështu aftësia për të lexuar buzët është bërë kaq e kërkuar, aftësi kjo që po paguhet. Kjo shënon një epokë të re në kulturën e të famshmëve. /TopChannel