Një gjykatë e qarkut në Spanjë ka ndaluar përkohësisht rrjetin e mesazheve sociale - Telegram - pas ankesave nga kompanitë e mediave se i lejon përdoruesit të ngarkojnë përmbajtjen e tyre pa leje, raporton Reuters.
Gjykata ka rënë dakord ta ndalojë përdorimin e Telegramit në Spanjë nga e hëna, në pritje të hetimeve.
Ofruesit e shërbimeve celulare do të jenë përgjegjës për ndalimin e shërbimeve të Telegramit.
Telegram ende nuk ka komentuar mbi vendimin.
Telegram është shërbimi i katërt më i përdorur i mesazheve në Spanjë, i përdorur nga pothuajse 19 për qind e popullsisë.
Telegram është shërbim për dërgimin dhe shkëmbimin e mesazheve të çastit i zhvilluar nga kompania “Telegram Messaging LLP” me seli në Londër dhe qendra operacionale në Dubai. Kompania u themelua nga sipërmarrësi rus Pavel Durov, i njohur më parë si themeluesi i rrjetit social të njohur rus “VKontakte”.
Kompania thotë se kishte më shumë se 700 milionë përdorues aktivë në mbarë botën në vitin 2023.