Sony ka vendosur ta bëjë teknologjinë e vet të displejeve Crystal LED të arritshme edhe për konsumatorët, duke ua mundësuar atyre që të krijojnë ekrane të mëdha, modulare me rezolucione deri në 16K, raporton Overclock3D.
Sistemi është i dizajnuar me ndihmën e paneleve MicroLED, të madhësisë 16x18 inçë, dhe ofron rezolucion 360 x 360 pikselë, ndriçim prej 1000 niteve, nivele të sipërfaqes së zezë prej 99 për qind, mbështetje për ngjyrat 10-bitëshe dhe mbulueshmëri prej 140 për qind të spektrit të ngjyrave sRGB. Ekranet gjithashtu e mbështesin rifreskimin prej 120Hz, shkruan KOHA Ditore.
Secili panel MicroLED kushton rreth 10,000 dollarë, me çfarë një sistem 110 inçësh 1080p do të kushtonte rreth 180,000 dollarë, sistemi 4K 220 inçësh rreth 720,000 dollarë, ndërsa sistemi 16K 790-inçësh rreth 5.76 milionë dollarë.
Me një çmim të këtillë, sistemet Sony Crystal LED TV janë të dedikuar ekskluzivisht për tregun e multi-milionerëve - ata që duan kinema në jahtin e tyre ose në mjedise të ngjashme. Deri më tani, kjo teknologji e ekraneve ka qenë në dispozicion ekskluzivisht për përdoruesit e biznesit.
Ne, njerëzit e zakonshëm që nuk i kemi nga disa milionë dollarë/euro, na mbetet të presim që Sony t’i ofrojë pajisjet e veta MicroLED me një çmim të përballueshëm për përdoruesit mainstream.