Kompania e rrjeteve sociale, Snap, pronar i aplikacionit Snapchat, ka lansuar të martën mjetet e tij të para të kontrollit prindëror, të cilat do t'i lejojnë prindërit të shohin se me kë po flasin fëmijët e tyre adoleshentë, por jo edhe bisedat e tyre, shkroi të martën Reuters.
Funksioni i ri i quajtur Family Center, po lansohet në një kohë kur kompanitë e rrjeteve sociale janë kritikuar për mungesën e mbrojtjes për fëmijët.
Në tetor, Snap dhe kolegët e tij të teknologjisë TikTok dhe YouTube dëshmuan para ligjvënësve amerikanë duke akuzuar kompanitë për ekspozimin e përdoruesve të rinj ndaj ngacmimit ose drejtimin e tyre drejt përmbajtjes së dëmshme.
Instagram gjithashtu dëshmoi në një seancë dëgjimore në Senat në dhjetor mbi sigurinë në internet të fëmijëve, pasi një sinjalizues i Facebookut zbuloi dokumente të brendshme që pretendohet se tregonin se aplikacioni dëmton shëndetin mendor dhe imazhin e trupit të disa adoleshentëve.
“Prindërit mund t'i ftojnë adoleshentët e tyre që t'i bashkohen Family Center në Snapchat dhe pasi adoleshentët të pranojnë, prindërit do të mund të shikojnë listën e miqve të fëmijëve të tyre dhe kujt i kanë dërguar mesazhe në aplikacion gjatë shtatë ditëve të fundit. Megjithatë, prindërit nuk do të jenë në gjendje të shohin përmbajtje private ose mesazhe të dërguara nga fëmijët e tyre”, ka thënë Jeremy Voss, kreu i produkteve të mesazheve të Snapit, në një intervistë.
Snap tha se planifikon të lëshojë funksione shtesë në muajt e ardhshëm, duke përfshirë njoftimet për prindërit kur fëmijët e tyre raportojnë abuzim nga një përdorues.