Tech

S’ka më këngë të Taylor Swiftit, The Weeknd dhe Drakeit në TikTok

Universal Music ka vendosur të tërheqë miliona këngë të saj nga platforma sociale TikTok pas një mosmarrëveshje për pagesat, shkruan BBC.

Vendimi nënkupton se TikToku nuk do të ketë më qasje në këngët e disa artistëve, duke përfshirë Taylor Swift, The Weeknd, Lady Gaga dhe Drake.

Universal akuzoi TikTokun për “kërcënim”, pasi sipas tyre, platforma sociale donte të paguante vetëm një pjesë të tarifës që paguajnë mediat e tjera sociale për qasje në katalogun e saj të këngëve.

TikToku ka thënë se Universal po paraqiste “narrativë dhe retorikë të rreme”.

Kompanitë muzikore fitojnë pagesa të honorarëve kur këngët e tyre lëshohen në platformat e transmetimit dhe të mediave sociale.

Edhe pse TikToku - i cili është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance - ka më shumë se një miliard përdorues, ai përbën vetëm 1% të të ardhurave totale të Universal.

Në një “letër të hapur për komunitetin e artistëve dhe kantautorëve”, Universal - që kontrollon rreth një të tretën e muzikës botërore - pretendon se “në fund të fundit TikToku po përpiqet të ndërtojë biznes të bazuar në muzikë, pa paguar vlerën e drejtë për muzikën”.

Kompania ka thënë se do të ndalojë licencimin e përmbajtjes së saj për TikTokun kur kontrata të skadojë më 31 janar [sot].

Kjo është hera e parë që Universal ka ndërmarrë hapin kryesor për heqjen e këngëve të saj nga platforma e një kompanie teknologjike.

The Beatles, Elton John, Coldplay, Adele, BTS e Blackpink gjithashtu janë nën Universal Music.