Tech

Si do të duket kontrolleri i Playstation 5

PlayStation 5 pritet të dalë në treg gjatë sezonit të Krishtlindjeve në vitin 2020, dhe edhe pse deri në lansim kanë mbetur më shumë se një vit, po zbulohen gjithnjë e më shumë detaje rreth konzolës së re.

Në sajtin e zyrës japoneze të patentave është paraqitur një draft, i cili paraqet dizajnin e kontrolluesit të ri të Playstation. Edhe pse në pamje të parë i ngjan Dual Shock 4, janë bërë disa ndryshime shumë të rëndësishme, raporton GameSpot.

Ndërsa ky nuk është sigurisht versioni përfundimtar i kontrolluesit të PlayStation 5 (modeli famëkeq i kontrollerit të PlayStation 3, "boomerang", u braktis pak para se të prezantohej konzola), ka të ngjarë që shumica e këtyre ndryshimeve do të mbeten në versionin përfundimtar. Për sa i përket ngjashmërisë, touchpadi dhe forma e përgjithshme janë shumë të ngjashme me Dual Shock 4.

Image

Sony ka përmendur më parë se në kontrollerin e ri Haptic, teknologjia do ta zëvendësojë Rumble aktual, duke e siguruar një gamë më të gjerë dhe më shumë finesa në mënyrën se si vibron (si "HD Rumble" në Nintendo Switch), shkruan KOHA Ditore. Butonat L2/R2 do të zëvendësohen me butona adaptivë, kështu që developerët mund ta programojnë sasinë e rezistencës që ato e ofrojnë. Kështu p.sh. butoni R2 mund të jetë më i vështirë për t'u shtypur nëse karakteri juaj në lojë mban diçka të rëndë, ose do t'ju japë rezistencë kur p.sh. e tërheqni harkun me shigjetë. Një kontrollues i tillë do t'u japë lojtarëve një ndjenjë më të mirë të mjedisit, ndërsa do t'u japë programerëve mundësi të reja në krijimin e lojërave.