Tech

Shteti i parë amerikan që ndalon zyrtarisht TikTokun

TikTok

Shteti amerikan i Montanas ka miratuar një ligj që ndalon plotësisht për zyrtarët dhe qytetarët e thjeshtë TikTokun, platformën popullore të ndarjes së videove, shkruan BBC.

TikTok është në pronësi të kompanisë kineze të teknologjisë ByteDance, e cila dënoi vendimin e qeverisë së Montanas, duke argumentuar se ndalimi shkel të drejtat kushtetuese të qytetarëve amerikanë.

Megjithatë, guvernatori Greg Gianforte nënshkroi ligjin të mërkurën dhe më vonë postoi në Twitter se ai do të “mbronte banorët e Monatanas, informacionin e tyre personal dhe privat nga Partia Komuniste Kineze”. Ndalimi do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024, por mund të ketë ankesa nga TikToku dhe grupet e lirive civile.

Ligji kaloi muajin e kaluar me mbështetje të fortë nga republikanët, të cilët këmbëngulën se TikToku përbën një kërcënim për privatësinë dhe sigurinë kombëtare të SHBA-së, sepse është në pronësi të ByteDance, një kompani me bazë në Pekin. Ligji ndalon që TikToku të funksionojë në Montana dhe dyqanet e aplikacioneve në telefon duhet ta ndalojnë. Ndryshe, rrezikohet një gjobë deri në 10 mijë dollarë në ditë për shkelje të ligjit.

TikToku ka shpallur luftë kundër ligjit të ri, si dhe një luftë për të mbrojtur të drejtat e përdoruesve brenda dhe jashtë Montanas.

Gjithashtu, platforma ka theksuar më parë se të gjitha operacionet e saj tani janë të bazuara në SHBA dhe ka mohuar pretendimet se i përcjell të dhënat qeverisë kineze, të cilat janë konfirmuar nga Pekini.

Grupet e të drejtave të njeriut e dënuan gjithashtu ndalimin.

Montana është shteti i parë që ndalon plotësisht TikTokun, ndërsa platforma është nën sulm në të paktën 25 shtete të tjera amerikane dhe qeveria federale, e cila ka ndaluar përdorimin e aplikacionit në pajisjet zyrtare.

Edhe shtete të tjera evropiane kanë ndaluar TikTokun për zyrtarët, ndërsa po konsiderojnë edhe ndalimin e plotë të tij.