Tech

Shqetësimet rreth TikTok-ut, SHBA detajon përpjekjet për sigurimin e të dhënave

Shqetësimet rreth TikTokut kanë nxitur përpjekje të reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të rritur fuqitë që do ta trajtojnë apo edhe parandalojnë këtë aplikacion kinez të ndarjes së videove të shkurtra.

Administrata Biden ka njoftuar këtë javë për adresimin e shqetësimeve në rritje të sigurisë kombëtare të SHBA-së për trajtimin e të dhënave të amerikanëve nga kompanitë e huaja.

Sekretarja e Tregtisë, Gina Raimondo, tha në një seancë dëgjimore në Senatin amerikan se departamenti po punon për të siguruar rrjetet e komunikimit dhe teknologjisë dhe se tani janë në procesin e punësimit të një ekipi për të bërë monitorim, hetim dhe zbatim.

"Ne po punësojmë dhjetëra njerëz për të kërkuar çdo kompani që mund të paraqesë rrezik të panevojshëm sigurie për rrjetet tona ose për të dhënat tona", ka thënë Raimondo.

Shtëpia e Bardhë dhe Raimondo mbështesin aktin e Kufizimit. Kritikët thonë se ligji është tepër i gjerë dhe dëmton liritë civile të amerikanëve, duke përfshirë më shumë se 150 milionë përdorues amerikanë të TikTok.

Raimondo ka deklaruar se departamenti ka qenë aktiv në adresimin e kërcënimeve nga Kina.

"Unë kam vendosur mbi 200 kompani kineze në listën e entiteteve në mandatin tim dhe jemi aktivisht duke hetuar kërcënime shtesë. Nëse mendojmë se kompanitë duhet të hyjnë në listë, nuk do të hezitoj t’i fusim ato", tha ajo.