Tech

Shkuan në hapësirë për tetë ditë, mund të mbesin të bllokuar deri në vitin 2025

Astronautët amerikanë

Astronautët amerikanë

Dy astronautë amerikanë që shkuan në hapësirë ​​për mision tetë-ditor në qershor mund të bllokohen në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës deri vitin e ardhshëm nëse anija kozmike e tyre nuk mund të riparohet që të kthehen në shtëpi, ka thënë NASA, shkruan The Guardian.

Zyrtarët e NASA-s të mërkurën thanë se astronautët Butch Wilmore dhe Suni Williams, të cilët u bënë të parët që fluturuan me anijen kozmike “Starliner” të Boeingut, mund të kthehen në shtëpi në shkurt të vitit 2025 nëse Starliner vazhdon të konsiderohet i pasigurt për t’u kthyer në Tokë.

Agjencia hapësinore amerikane (NASA) ka diskutuar me prodhuesin e anijeve kozmike, “SpaceX”, për të lënë dy vende bosh në nisjen e anijes kozmike “Crew Dragon”. Nisja e “Crew Dragon” u shty për një muaj të martën. NASA dhe Boeingu po vazhdojnë të eksplorojnë mundësi se si t’i sjellin astronautët në shtëpi.

Astronautët amerikanë u nisën në hapësirë më 5 qershor për mision testues dhe pritej të qëndronin rreth tetë ditë. Por problemet me sistemin e “Starlinerit” e kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e anijes kozmike për t’i kthyer ata të sigurt në Tokë siç ishte planifikuar.

Një zëdhënës i Boeingut ka thënë se nëse NASA vendos të ndryshojë misionin e “Starlinerit”, kompania do të marrë veprimet e nevojshme që ta kthejë anijen kozmike në Tokë pa ekuipazh.

Përdorimi i një anijeje “SpaceX” për të kthyer astronautët që Boeingu kishte planifikuar t’i kthente me “Starliner” do të ishte goditje e madhe për një gjigant të hapësirës ajrore që ka luftuar për vite me radhë për të konkurruar me kompaninë që udhëhiqet nga miliarderi Elon Musk.

Nisja e SpaceX Crew-9 fillimisht ishte planifikuar për në mes të gushtit. NASA ka thënë se misioni do të nisë pas 24 shtatorit.