Shtëpia e Bardhë ka njoftuar të enjten një strategji të re të sigurisë kibernetike në përpjekjen e fundit të qeverisë amerikane për të forcuar mbrojtjen e saj kibernetike në mes të një rritjeje të qëndrueshme të hakerëve dhe krimeve digjitale që synojnë vendin, raportoi Reuters.
Strategjia, e cila synon të drejtojë politikat e ardhshme, kërkon rregullim më të rreptë të praktikave ekzistuese të sigurisë kibernetike nëpër industri dhe përmirësim të bashkëpunimit midis qeverisë dhe sektorit privat.
Kjo strategji është bërë pas një sërë incidentesh hakërrimi të profilit të lartë nga akterë vendas dhe të huaj kundër Shteteve të Bashkuara dhe në mes të konfliktit ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës, në të cilin lufta kibernetike është shpërfaqur dukshëm.
Strategjia përmend Kinën dhe Rusinë si kërcënimet më të spikatura të sigurisë kibernetike ndaj Shteteve të Bashkuara. Një zyrtar amerikan, i cili nuk pranoi të identifikohej me emër, ka thënë se një pjesë e strategjisë së re ka për qëllim frenimin e hakerëve rusë.
"Rusia po shërben si një strehë de facto e sigurt për krimin kibernetik dhe ransomware është një çështje mbizotëruese me të cilën po merremi sot”, është shprehur zyrtari.
Sulmet ransomware, në të cilat bandat kriminale kibernetike marrin kontrollin e sistemeve të një objektivi dhe kërkojnë pagesa shpërblese, janë ndër llojet më të zakonshme të sulmeve kibernetike dhe kanë ndikuar në një gamë të gjerë industrish në vitet e fundit.
"Sistemi i drejtësisë penale nuk do të jetë në gjendje të zgjidhë vetë këtë problem - ne duhet të shikojmë elementë të tjerë të pushtetit kombëtar. Pra, ne shpresojmë që Rusia të kuptojë pasojat e aktivitetit keqdashës në hapësirën kibernetike dhe do të vazhdojë të jetë e përmbajtur”, ka shtuar zyrtari.