Shtëpia e Bardhë ka shfuqizuar urdhrat ekzekutivë të kohës së Donald Trumpit që tentuan të ndalojnë aplikacionet TikTok dhe WeChat dhe do të rishikojë format për të identifikuar rreziqet e sigurisë kombëtare me aplikacionet e programeve të lidhura me Kinën.
Një urdhër i ri ekzekutiv detyron Departamentin e Tregtisë që të ndërmarrë atë që zyrtarët e përshkruajnë si analiza me “prova të bazuara” të transaksioneve që përfshijnë aplikacionet. Zyrtarët janë të shqetësuar për aplikacionet që mbledhin të dhënat e përdoruesve ose që kanë lidhje me ushtrinë kineze a aktivitete të inteligjencës.
Departamenti do të nxjerrë rekomandime se si të mbrohen tutje informacionet personale të amerikanëve dhe do të identifikojë rreziqet që vijnë nga aplikacionet e lidhura me Kinën, raporton AP.
Administrata e ish-presidentit Trump pati pretenduar se TikToku është kërcënim për sigurinë kombëtare dhe tentoi ta bllokonte përdorimin e tij në SHBA.