Tech

SHBA-ja i jep fund një prej krimeve më të mëdha kibernetike, u vodhën 5.9 miliardë dollarë

kibernetik

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka njoftuar se ka mbyllur një rrjet global ‘malware’ që vodhi 5.9 miliardë dollarë dhe ishte i lidhur me krime të tjera.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë është bashkuar me FBI-në dhe agjenci të tjera ndërkombëtare për të mbyllur atë që është “ndoshta botnet-i më i madh në botë ndonjëherë”, raporton BBC.

Shtetasi kinez YunHe Wang, i cili është gjithashtu shtetas i St Kitts dhe Nevis, akuzohet për krijimin dhe funksionimin e rrjetit.

Një ‘botnet’ është rrjet kompjuterash i infektuar me ‘malware’ [virus] dhe që përdoret për qëllime të këqija nga njerëz të caktuar. 

Wang akuzohet për mashtrim kompjuterik, komplot për të kryer mashtrim dhe komplot për të kryer pastrim parash.

Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, ai përballet me dënim maksimal prej 65 vjetësh burgim.

Sipas aktakuzës, midis viteve 2014 dhe 2022, Wang dhe të tjerët krijuan dhe operuan një ‘botnet’ të quajtur “911 S5” me rreth 150 serverë në mbarë botën.

Një ‘botnet’ ka hakuar më shumë se 19 milionë adresa të Protokollit të Internetit (IP) në gati 200 vende, ka thënë Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Një adresë IP është kodi unik që identifikon një pajisje në internet ose rrjet.

‘Botnet’-i është përdorur për të kryer sulme kibernetike, mashtrime në shkallë të gjerë, shfrytëzim të fëmijëve, ngacmime, kërcënime me bomba dhe shkelje të eksportit.

SHBA-ja ka vlerësuar se më shumë se gjysmë milioni pretendime mashtruese për kinse papunësi kanë origjinën nga adresat IP të komprometuara, duke rezultuar në humbje prej më shumë se 5.9 miliardë dollarë. Rrjeti gjithashtu lejoi kriminelët kibernetikë të blinin mallra me karta krediti të vjedhura ose të pastronin para.

Wang dyshohet se ka shitur qasje në adresat IP dhe ka marrë rreth 99 milionë dollarë.

Ai thuhet se ka blerë prona në SHBA, St Kitts dhe Nevis, Kinë, Singapor, Tajlandë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Pasuria në total, rreth 60 milionë dollarë, u sekuestrua ose u identifikua për sekuestrim, duke përfshirë një Ferrari, një Rolls-Royce dhe disa ora.

Agjencitë e zbatimit të ligjit në Singapor dhe Tajlandë, si dhe gjiganti i teknologjisë Microsoft, ishin ndër organizatat që ndihmuan në hetim.