Pasi u tejkalua për një kohë nga Apple, Samsung u kthye në fron si prodhuesi më i madh i telefonave në botë, shkruan Reuters.
Korporata Ndërkombëtare e të Dhënave (IDC) Mobile Phone Tracker ka publikuar të dhëna për tremujorin e parë të vitit 2024, duke treguar se Samsungu ka rifituar avantazhin që e mbante nga viti 2010.
Samsung shiti 60.1 milionë telefona në mbarë botën në tremujorin e parë, që përfaqëson një pjesë të tregut prej 20.8 për qind. Nga ana tjetër, Apple ka shitur 50.1 milionë telefona, apo 17.3 për qind të tregut.
Të dyja kompanitë shënuan rënie në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2023, por ajo e Apple është më e rëndë dhe arrin në 9.5 për qind krahasuar me 0.7 për qind të Samsungut.
Në vendin e tretë në listën e prodhuesve më të mëdhenj të telefonave në botë është Xiaomi me 40.8 milionë njësi të shitura.