Në YouTube u publikua traileri i parë i lojës së shumëpritur Grand Theft Auto versioni 6.
Publikimi zyrtar i trailerit u njoftua për 5 dhjetor pasdite, por plani i Rockstar Games dështoi pasi traileri rrodhi në Youtube dhe X.
Edhe pse profili që postoi trailerin u pezullua shpejt, videoja mblodhi një numër të madh shikimesh, kështu që Rockstar s’kishte pse të priste më. Pamja e parë zyrtare e lojës GTA 6 u shfaq rreth mesnatës në kanalin e kompanisë në YouTube, dhe premiera u ndoq nga mijëra përdorues.
Traileri konfirmoi një numër detajesh të vogla që janë shfaqur rreth lojës gjatë dy vjetëve të fundit, duke përfshirë mjedisin e Vice City, si dhe protagonisten e parë femër së bashku me një personazh mashkull në serinë popullore me elementë historish të frymëzuar nga Bonnie dhe Clyde.
Në trailer, konfirmohet se loja do të dalë në vitin 2025, por nuk specifikohet se për cilat platforma do të jetë e disponueshme.
“Rrjedhja” e trailerit nuk është rasti i parë i tillë në lidhje me GTA 6. Më herët gjatë këtij viti, u konstatua se një adoleshent nga Britania e Madhe ishte përgjegjës për publikimin e 90 regjistrimeve nga procesi i zhvillimit të lojës.
Për më tepër, këtë javë një video e lojës u shfaq në TikTok, e cila dyshohet se ishte postuar nga fëmija i një punonjësi të Rockstar.
GTA V u lansua në shtator të 2013-s, kështu që pritja për 6-tin ka qenë më e gjatë se një dekadë.