Qindra robotë të vegjël, të gjatë deri te gjuri, në gjendje të mbajnë rreth katër pica të mëdha, tashmë po lëvizin nëpër disa kampe të kolegjeve, madje edhe në disa pjesë të qyteteve në Amerikë, Britani e në vende të tjera
Dërgesat ushqimore nga robotët nuk janë më vetëm fantazi, por nuk është se do t’i shihni së shpejti në lagjen tuaj.
Qindra robotë të vegjël, të gjatë deri te gjuri, në gjendje të mbajnë rreth katër pica të mëdha, tashmë po lëvizin nëpër disa kampe të kolegjeve, madje edhe në disa pjesë të qyteteve në Amerikë, Britani e në vende të tjera. Derisa robotët po testoheshin në numër të kufizuar para se pandemia të fillonte, kompanitë ndërtuese kishin thënë se mungesa e fuqisë punëtore shkaku i pandemisë rriti dëshirën për dërgesa pa pasur nevojë për kontakt, gjë e cila e përshpejtoi vendosjen e tyre në terren.
Flotë robotësh
“Ne e kemi vërejtur që kërkesa për përdorimin e robotëve sa vinte e rritej”, kishte thënë Alastair Westgarth, drejtor i “Starship Technologies”, që së fundi kompletoi dërgesën e 2 miliontë me radhë. “Mendoj se kërkesa për këtë ka ekzistuar gjithmonë, por efekti i pandemisë i dha një shtyrje”.
Kompania “Starship” ka më shumë se 1.000 robotë në flotën e vet, nga 250 që i kishte në vitin 2019. Qindra robotë të tjerë do t’i lëshojmë së shpejti. Ata po shpërndajnë dërgesa ushqimore në 20 kampe të Amerikës; së shpejti do të shtohen edhe 25. Po ashtu ata po operojnë edhe në disa pjesë të Milton Keynes, Angli: Modesto, Kalifornia; si dhe në vendlindjen e kompanisë në Tallin, Estoni.
Dizajni i robotit ndryshon; për shembull, disa kanë katër këmbë, disa gjashtë. Mirëpo, në përgjithësi i përdorin kamerat, censorët, GPS e nganjëherë edhe skanerët me laser që t’i njohin rrugët, madje edhe t’i kalojnë ato vetë. Robotët lëvizin me shpejtësi rreth 5 milje për orë.
Kontrolluesit e pajisjes përcjellin punën e disa robotëve në të njëjtën kohë, por kishin thënë së rrallë u duhet të intervenojnë te frenat ose te manovrimi me rrotullim. Kur roboti arrin në destinacionin e caktuar, klientët shtypin kodin në telefon që të hapet kapaku e të marrin ushqimin e tyre.
Robotët kanë një të metë, e cila e kufizon përdorimin e tyre. Janë elektrikë, kështu që duhet të rimbushen rregullisht. Janë të ngadalshëm, dhe në përgjithësi mund të qëndrojnë në një radius të vogël.
Refuzimi

Ata janë po ashtu të shtangët. Për shembull, klienti nuk mund t’i thotë robotit që ta lërë ushqimin jashtë te dera. Disa qytete të mëdha të mbushura me njerëz, si New York, Pekin dhe San Francisco nuk i mirëpresin këta robotë.
Mirëpo Bill Ray, analist me firmën e konsultimeve ”Gartnerm” kishte thënë që përdorimi i robotëve kishte më shumë kuptim nëse përdoreshin në korporata, në kampe të kolegjeve ose në komunitetet e reja me trotuare të gjera.
“Në vendet ku mund ta vendosësh atë, dërgesat përmes robotit do të rriten shumë shpejt”, kishte thënë Ray.
Ka pasur edhe disa raportime rreth problemeve me robotët, të zakonshme si ato kur fëmijët e ngacmonin duke i rrethuar e duke i bërë konfuzë. Starship shpejt e kishte ndaluar shërbimin në Universitetin e Pitsburgut në vitin 2019, pasi një përdorues në karrocë kishte thënë se roboti e bllokoi hyrjen e saj në rampë. Por pas rregullimit të këtij problemi nga Starship, porositë vazhduan prapë.
Patrick Sheck, student në Bowling Green State University në Bowling Green, Ohio, pranon porosi nga roboti i Starship tri ose katër herë në javë pas mbarimit të leksioneve.
“Roboti shfaqet tamam në kohën e drekës”, kishte thënë Sheck. Bowling Green and Starship kushton 1.99 dollarë shërbimi për shpërndarjen e porosive nga robotët.
Trend kolegjesh
Rival Kiwibot, me kryesinë në Los Angeles dhe Medellin, Columbia, thotë se tani ka rreth 400 robotë që shpërndajnë porosi në kampe të kolegjeve dhe në Miami.
Kompanitë për dërgesa janë duke hyrë edhe në markete. Gruhub së fundi u bashkua me krijuesin e robotit rus Yandex për t’i lansuar 50 robotë në kampusin e Ohio State University në Columbus, Ohio. Grubhub ka në plan të shtojë më shumë kampe së shpejti, edhe pse shërbimi nuk do të shkojë më larg se për kolegje tani për tani, thekson kompania.
Dërgesat e porosive në Amerikë u rritën deri në 66%, në përfundim të vitit në qershor, duke u bazuar në të dhënat e NDP-së, firmë e konsultimeve. E kërkesa për porosi mund të qëndrojë në rritje edhe pas lehtësimit të pandemisë për shkak se klientët janë mësuar me këtë rehati.
Ji Hye Kim, shefe dhe partnere e menaxhimit në Ann Arbor, Michigan, në restorantin “Miss Kim”, kishte gjetur mbështetje në dërgesat përmes robotit kur kuzhina e saj u mbyll vitin e kaluar. Kim hyri në partneritet me një kompani lokale të robotëve Refraction AI, pak kohë pasi pandemia filloi.
Kim preferon robotët për kompani të palës së tretë, siç është DoorDash, që ngarkon me më shumë porosi e ndonjëherë duhej të anuloheshin porositë për shkak se nuk kishte mjaftueshëm shoferë. Kompanitë për dërgesa paketojnë shumë porosi për një rrugë, kështu që ushqimi shpeshherë arrin i ftoftë, shtoi ajo. Robotët marrin vetëm nga një porosi për rrugë.
Kriza e punëtorëve
Robotët janë interesantë edhe për klientët, të cilët shpesh postojnë video të përvojave të tyre.
“Është shumë e lezetshme, dhe nuk ke pasur nevojë që të takohesh ballë për ballë më njerëzit. Ishte rehati”, kishte thënë Kim. Kërkesat për porosi kanë rënë që nga hapja e kuzhinës, mirëpo robotët ende dërgojnë deri në 10 porosi në ditë.
Përderisa Kim ia doli të mbajë stafin e saj gjatë situatës pandemike, restorantet e tjera po luftonin për të gjetur punëtorë. Sipas një sondazhi i bërë së fundmi, 75% e pronarëve të restoranteve në Amerikë i thanë Asociacionit Kombëtar të Restoranteve që punësimi dhe mbajtja e punëtorëve është sfida më e madhe.
Kjo ka ndikuar që shumë restorante ta mbushin zbrazëtirën me punën e robotëve.
“Nuk ka asnjë dyqan në vend tani që ka mjaftueshëm shpërndarës të porosive”, kishte thënë Dennis Maloney, nënkryetar i lartë dhe shef i zyrës në “Domino’s Pizza”.
“Domino’s” është në partneritet me “Nuron”, një kompani e sapokrijuar, podët e së cilës janë 6 metra të gjatë, dhe shkojnë me shpejtësi maksimale 25 milje për orë në rrugë, jo në trotuare.
“Nuro” po teston dërgesat ushqimore në Houston, Phoenix and Mountain View, California.
Maloney thotë se nuk është çështja nëse, por kur do të fillojnë robotët të bëjnë më shumë porosi. Ai mendon që kompanitë si “Domino’s” do t’i përdorin edhe robotët, edhe shoferët, varësisht nga lokacioni. Për shembull, robotët që lëvizin nëpër trotuare mund të punojnë në bazë ushtarake, ndërsa “Nuro” është ideal për periferitë. Vozitjet nëpër autostradë do t’u liheshin njerëzve.
Koha e duhur
Dërgesat me “Nuron” kushtojnë më shumë se postierët, por derisa teknologjia të rritet e të rafinohet, shpenzimet do të bien.
Për robotë më të lirë që lëvizin nëpër trotuare, në vlerë prej 5,000$ ose më pak, është edhe më e lehtë t’i presin shpenzimet e bëra nga njerëzit. Postieri mesatar Grubhub në Ohio bën 47,650$ në vit, bazuar në web-faqen e punës Indeed.com.
Mirëpo, robotët jo gjithherë e marrin punën e postierëve. Në disa raste, ata edhe krijojnë punë për ta. Para se të arrinin robotët e “Starshipit”, “Bowling Green” nuk ofronte dërgesa nga kampe në vendet e darkimit. Që atëherë, janë punësuar më shumë se 30 njerëz të shërbejnë si shërbyes ndërmjetësues mes kuzhinës dhe robotëve, kishe thënë zëdhënësi i “Bowling Green”, Jon Zachrich.
Brendan Witcher, një analist i teknologjisë në firmën konsulente “Forrester”, thotë se është e lehtë të emocionohesh rreth The Jetsons- like mundësisë së dërgesave me robot. Por në fund të fundit, robotët do ta vërtetojnë se po krijojnë një avantazh në një mënyrë.
“Është e mundur ta shohim këtë dukuri si diçka tjetër”, kishte thënë ai. “Mirëpo janë koha dhe vendi i duhur për kompanitë e robotëve t’i testojnë dhe të mësojnë prej tyre, si dhe ta bëjnë vlerësimin vet”.
Përktheu: Blerta Haxhiu