Pas disa javësh të teaserëve dhe paralajmërimeve, OnePlus TV është prezantuar më në fund edhe zyrtarisht.
Bëhet fjalë për televizorin 55 inçësh me panel QLED, ndërsa kompania kineze thekson se TV-ja e ka një dizajn më të përshtatshëm dhe minimalistik me një ekran pothuajse pa kornizë, raporton The Verge.
OnePlus TV ofron ngjyra quantum dot, dhe ka mbështetje për Dolby Vision dhe HDR10+, megjithëse kompania nuk ka publikuar detaje në lidhje me aspektet teknike të televizorit, shkruan KOHA Ditore. Ajo që e pohon OnePlus është se gama e ngjyrave të TV-së është më e mira në këtë klasë në mesin e konkurrencës QLED.
Gjithashtu ofrohet sistemi me tetë altoparlantë, për të cilin OnePlus thekson se e ofron një "përvojë joreale të zërit" përmes mbështetjes së Dolby Atmos. Altoparlanti (soundbar) lëshohet nga fundi i TV-së dhe futet në trupin e TV-së kur nuk përdoret.

Për mbështetje softuerike është përgjegjës Android TV, ndërsa punon në tandem me telefonat OnePlus. Gjithashtu ofrohet mbështetja për shërbimet Google Assistant dhe Alexa. Aplikacioni OnePlus Connect për telefona mund të përdoret për funksione edhe më të avancuara.
OnePlus TV është publikuar zyrtarisht për tregun Indian, ku do të shitet me një çmim prej afro 1000 dollarësh për OnePlus TV Q1, apo rreth 1400 dollarë për OnePlus TV Q1 Pro, i cili ka soundbar të motorizuar. Është paralajmëruar disponueshmëria globale e pajisjes, por nuk është njoftuar se kur OnePlus TV do të shfaqet në tregjet e tjera.