Policia spanjolle ka arrestuar një qytetar britanik 22-vjeçar lidhur me hakimin e 130 llogarive në Twitter, përfshirë ato të Elon Muskit, Barack Obamas dhe Kanye Westit.
Nga llogaritë e hakuara u ishte shkruar ndjekësve, duke i inkurajuar ata që t’i bashkoheshin një mashtrimi me Bitcoin, në korrik të vitit të kaluar.
I akuzuar për hakim edhe të TikTokut dhe Snapchatit, Joseph O’Connor përballet edhe me akuza të tjera përfshirë tri akuza për komplot për të hyrë qëllimisht në një kompjuter pa autorizim dhe marrjen e informacionit nga një kompjuter i mbrojtur.
Rastin është duke e hetuar FBI-ja, e ndihmuar edhe nga Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave Njësia për Hetimin Penal të Krimeve Kibernetike dhe Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara.
Paraprakisht, autoritetet kanë akuzuar tre persona në lidhje me shkeljen, një 19-vjeçar nga Bognor Regis, një adoleshent dhe një 22-vjeçar nga Florida.
Hakerët kishin marrë llogaritë e figurave publike nën kontroll dhe kishin dërguar një seri të mesazheve duke kërkuar nga ndjekësit që të transferonin kriptovaluta në një portofol të veçantë Bitcoin për të përfituar kështu dyfishin e parave në kthim.