Pasi para pak kohësh e prezantoi monitorin 32 inçësh Brilliance, Philips tani sjell një monitor tjetër 4K të përballueshëm, i cili karakterizohet nga një raport i shkëlqyeshëm në mes të çmimit dhe karakteristikave.
Modeli i ri Brilliance 272P7VUBN ka diagonale prej 27 inçësh, mbështetje për rezolucion 4K dhe ofron panel IPS, raporton TechPowerUp.
Kur bëhet fjalë për ndriçimin, Brilliance 272P7VUBN i ka 350 nitë, me rifreskim prej 60Hz dhe reagueshmëri prej 5ms, shkruan KOHA Ditore. Këto janë karakteristikat që përputhen me ato që u duhen lojtarëve të herëpashershëm, të cilët dëshirojnë ta ngrenë përvojën e tyre në nivel më të lartë, me rezolucion 4K.
Paneli ka kënde shikimi prej 178 shkallësh, ndërsa 1,07 miliardë ngjyrat e reprodukojnë spektrin sRGB, si dhe gama e ngjyrave 103% NTSC. Monitori livrohet edhe me precizitetin e kalibruar fabrikisht Delta E <2.
Kur bëhet fjalë për konektorët, Philips Brilliance 272P7VUBN e ka 1x DisplayPort 1.2, 1x HDMI 2.0a dhe 1x USB Type-C, si dhe hubin 2-portësh USB 3.0 dhe portin për kufje. Çmimi i monitorit është 350 dollar.