Zyrat e Kongresit amerikan i kanë thënë BBC-së se po “mbyten” me thirrje nga përdoruesit e TikTokut në lidhje me projektligjin që mund ta ndalojë aplikacionin në SHBA.
Telefonuesit dallojnë nga adoleshentë në më të moshuar, dhe shumica “janë konfuzë dhe po telefonojnë sepse ‘TikToku u ka thënë’”, ka thënë dikush prej stafit.
Projektligji do të mund ta detyrojë kompaninë kineze ByteDance ta shesë TikTokun brenda gjashtë muajsh, ose TikToku mund të fshihet nga dyqanet online të telefonave në SHBA.
Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të mërkurën. Presidenti Joe Biden ka thënë se do ta dekretojë nëse miratohet.
TikToku ka konfirmuar se u ka dërguar njoftim përdoruesve që “t’u bëjnë thirrje ligjvënësve” për të votuar kundër. Përdoruesit u shprehën se aplikacioni u dërgoi linkun që i çonte direkt te linjat telefonike të zyrave të Kongresit.