Edhe pse PlayStation 5 është i rrethuar me mister, fansat janë të etur për çdo informacion që mund të vijë, qoftë i konfirmuar apo thashetheme. Këtë herë kemi foto të patentës së re, të cilat i referohen kontrollerit multifunksional, të cilin na e sjell sajti LetsGoDigital.
Me siguri nuk bëhet fjalë për pamjen e vërtetë të kontrollorit për PS5, pasi që patentat e mëparshme kanë treguar tashmë që DualShock 5 do të jetë shumë i ngjashëm në dizajn me kontrollorët aktualë të PlayStation 4.

Sipas informatave të patentës, pajisja me pamje të Game & Watch mund të lidhet në shumë pajisje përmes Wi-Fi dhe Bluetooth dhe t’i transferojë të dhënat midis tyre. Këtu ka shumë potencial, pasi që kontrolleri mund ta mundësojë luajtjen e lojërave të PC në TV ose transferimin e muzikës dhe videove nga një pajisje në tjetrën, shkruan KOHA Ditore. Jashtë pajisja mund ta hartëzojë lokacionin e përdoruesit, ose në shtëpinë e mikut ta ekzekutojë lojën që do ta luani së bashku.

LetsGoDigital thekson se kontrollori përfshin funksione si sensori për gjurmë gishtash, monitori për rrahje të zemrës dhe gjëra të ngjashme, duke e bërë atë një pajisje të gjithanshme.
Me siguri që pamja drejtkëndore nga patenta nuk do të jetë edhe dizajni përfundimtar i pajisjes, ndërsa disa funksione nga patenta mund të shtohen në kontrollerin DualShock 5.
PlayStation 5 aktualisht është planifikuar të dalë në fund të vitit 2020, ndërsa lansimi zyrtar i konzolës pritet gjatë pranverës.