Parlamenti danez ka kërkuar të martën nga 179 anëtarët e asamblesë dhe punonjësit e tjerë që të mos kenë TikTok në telefonat e tyre të punës, si masë për sigurinë kibernetike, me pretendimin se “ka rrezik të spiunazhit”.
Aplikacioni shumë i famshëm i videove të shkurta, i cili është në pronësi kineze, po përballet me një kontroll intensiv nga Evropa dhe SHBA-ja mbi sigurinë dhe privatësinë e të dhënave, mes shqetësimeve se TikTok-u mund të përdoret për të promovuar pikëpamjet pro-Pekinit ose për të fshirë informacionin e përdoruesve.
Kryetari i Parlamentit danez, Søren Gade, ka thënë se ua ka dërguar të martën një letër ligjvënësve dhe të punësuarve të Parlamentit “me një rekomandim të fortë që ta shlyeni TikTok-un nëse tashmë e keni të instaluar”.
Asambleja veproi pas një vlerësimi nga Qendra Danimarke për Sigurinë Kibernetike, e cila kishte thënë se ekzistonte rreziku i spiunazhit. Agjencia është pjesë e shërbimit të inteligjencës së jashtme të Danimarkës.
"Ne përshtatemi në përputhje me rrethanat”, ka thënë Gade në një deklaratë.
Nuk dihej menjëherë se sa ligjvënës danezë kanë instaluar TikTok-un. Ditët e fundit, disa politikanë kanë njoftuar publikisht se e kishin fshirë aplikacionin nga telefoni i tyre i punës për arsye sigurie kibernetike.
Në fillim të këtij muaji, dega ekzekutive e Bashkimit Evropian tha se ka ndaluar përkohësisht TikTok-un nga telefonat e përdorur nga punonjësit si masë sigurie kibernetike.