Vlera e tregut e Nvidias ka kaluar 3 trilionë dollarë, duke e kaluar gjigantin teknologjik Apple dhe prodhuesi i çipave tani është kompania më e dytë më e vlefshme në botë, shkruan BBC.
Çmimet e aksioneve të kompanisë u rritën me pesë për qind të mërkurën.
Për Nvidian po vazhdon rritja e shpejtë befasuese që nisi vitin e kaluar, e mundësuar kryesisht nga një valë investimesh në inteligjencën artificiale (AI).
Vlera e Nvidias tani është vetëm prapa Microsoftit, që është një tjetër kompani kyçe në industrinë e inteligjencës artificiale shkaku i investimeve në krijuesin Chat GPT OpenAI.
E themeluar në vitin 1993, Nvidia fillimisht ishte e njohur për prodhimin e çipave kompjuterikë që përpunojnë grafikë, veçanërisht për lojërat kompjuterike.
Shumë kohë përpara revolucionit të inteligjencës artificiale, ajo shtoi veçori të tjera në çipa.
Rritja e Nvidias e dëshmon përhapjen e shpejtë të inteligjencës artificiale.
Apple ndërkohë pati ngecje në shitje në fillim të këtij viti. Por aksionet e saj janë rritur javëve të fundit, pas planeve për të investuar në inteligjencën artificiale.