Tech

Në SHBA me ligj synohet ndalimi i TikTokut

Ligjvënësit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë propozuar ndaljen e aplikacionit të famshëm TikTok – i njohur për videot e shkurtra - duke cituar shqetësime për sigurinë kombëtare.

Projektligji dypartiak është lëvizja e fundit e SHBA-së kundër kompanisë, që udhëhiqet nga gjiganti kinez i teknologjisë “ByteDance”.

Muajin e shkuar, kreu i Byrosë Federale të Hetimeve shprehu shqetësimin se Kina mund ta përdorë aplikacionin për të ndikuar te përdoruesit apo për t’ua kontrolluar pajisjet. Disa shtete në SHBA tashmë e kanë ndalur TikTokun nëpër pajisjet qeveritare.

Megjithatë, projektligji ka rrugë të gjatë për të bërë.

TikToku, që ka më shumë se 100 milionë përdorues vetëm në SHBA, ka thënë se lëvizja është një “ndalesë e motivuar politikisht, që s’do të bëjë asgjë për të avancuar sigurinë kombëtare të SHBA-së”.

Kompania ka shtuar se po i zhvillon planet për të shtuar më shumë siguri në platformën në SHBA.

Thirrjet për ta bllokuar TikTokun janë shpërfaqur edhe në Australi, ndërsa Tajvani tashmë e ka hequr nga pajisjet publike. India e ka bllokuar më 2020.

Në SHBA, TikToku është përballur me ndalim për dy vjet pas një vendimi të ish-presidentit Donald Trump, por gjykatat e bllokuan masën dhe nuk hyri më kurrë në fuqi. Më 2020, Komiteti për Investime të Huaja në SHBA – i angazhuar për të shikuar pronësinë e huaj në SHBA – ka kërkuar nga “ByteDance” ta sheshe TikTokun. Negociatat po vazhdojnë.