Tech

NASA shkruan histori, anija kozmike i afrohet Diellit më së shumti ndonjëherë

Sonda diellore Parker

Sonda diellore Parker /Ilustrim

Një anije kozmike e NASA-s ka bërë histori duke i mbijetuar afrimit me Diellin më së shumti ndonjëherë, shkruan BBC.

Shkencëtarët morën sinjal nga sonda diellore Parker, mjet për studime hapësire, pak para mesnatës të së enjtes pasi ajo kishte qenë jashtë komunikimit për disa ditë gjatë fluturimit.

NASA ka thënë se sonda ishte “e sigurt” dhe funksiononte normalisht pasi iu afrua 6.1 milionë kilometra sipërfaqes diellore – më së afërti ndonjëherë.

Sonda Parker fluturoi drejt sipërfaqes diellore në prag të Krishtlindjeve, duke duruar temperatura ekstreme deri në 980 gradë dhe duke lëvizur me shpejtësi 692 mijë km/h. Me këtë shpejtësi, fluturimi nga Londra në New York do të zgjaste më pak se 30 sekonda.

Kjo sondë do të ndihmojë NASA-n dhe shkencëtarët të bëjnë matje, të gjurmojnë origjinën e erës diellore (rrjedhë e vazhdueshme e materialit që ikën nga Dielli dhe që shkakton disa fenomene në Tokë) dhe të zbulojnë se si grimcat energjike përshpejtohen në shpejtësinë e dritës.

Sonda diellore Parker u lansua në vitin 2018 dhe tashmë ka kaluar Diellin 21 herë. Megjithatë, kalimi i fundit ishte më i afërti në histori.

“Për shekuj, njerëzit kanë studiuar Diellin, por nuk e përjetoni atmosferën e një vendi derisa të shkoni dhe ta vizitoni atë. Dhe kështu që ne nuk mund ta përjetojmë vërtet atmosferën e yllit tonë nëse nuk fluturojmë nëpër të”, ka thënë Nicola Fox, kreu i shkencës në NASA.