Kompania MSI po planifikon që linjën e vet të laptopëve të destinuar për krijuesit e përmbajtjeve ta freskojë me gjeneratën e ardhshme të modeleve Creator 17, të cilët do të karakterizohen nga ekrani Mini LED, raporton KitGuru.
Laptopi Creator 17 do të prezantohet gjatë panairit CES 2020 në Las Vegas, dhe do të jetë laptopi i parë që do ta implementojë këtë teknologji revolucionare. Miniekrani LED ofron precizitet superior të ngjyrave.

MSI thekson se ekranet Mini LED e kanë një strukturë të thjeshtë dhe performancë më të mirë të kombinuar me të gjitha përparësitë e teknologjive tradicionale të ekranit.
Kompania beson se me laptopin Creator 17 mund ta marrë udhëheqjen në tregun e laptopëve, shkruan KOHA Ditore. Në këtë do të kontribuojë ndriçimi maksimal prej 1000 niteve, me 240 zona të errësuara lokale. Një tjetër karakteristikë kryesore e ekraneve Mini LED është se ato janë imune ndaj problemeve burn-in.
Laptopi MSI Creator 17 do të ketë grafikë 4K dhe një gamë të gjerë të mbulueshmërisë së ngjyrave prej 100% DCI-P3. Laptopi do t’i përdorë çipat më të rinj CPU dhe GPU, do ta ketë lexuesin më të shpejtë të kartelave UHS-III SD dhe portin Thunderbolt.